Site icon Telegrafi

Mediat serbe: Amerikanët kanë një plan për t’i siguruar Kosovës ulëse në OKB

Lobistët shqiptarë janë duke punuar në një rezolutë për OKB-në, me anë të së cilës Kosova do të mund të bëhej pjesë e kësaj organizate.

Sipas asaj që shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një rezolutë në të cilën po punojnë lobistët në Amerikë, të cilët ndihmojnë “Fondacionin Klinton”.

Me anë të saj, siç thuhet më tej, planifikohet që Kosova të fitojë statusin e shtetit – vëzhgues, sipas modelit të Palestinës.

Mediat serbe gjithashtu kanë folur edhe rreth mundësisë së përfshirjes së SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi.

Stefan Surliq, doktor i Shkencave Politike, pohon se Amerika ka investuar shumë para dhe përpjekje diplomatike për të siguruar pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, duke marrë parasysh që negociatat e Prishtinës dhe Beogradit, po shkojnë drejt fazës përfundimtare, Washingtoni ka arsye që të bëhet formalisht pjesë e negociatave dhe marrëveshjes përfundimtare.

Gjithsesi siç shpreson Surliq “pa marrë parasysh se Serbia nuk është diplomatikisht e fortë, ajo ka një admirim të madh, dhe para së gjithash fakti se vendet e BE-së ende nuk e kanë pranuar Kosovën dhe se pa pëlqimin e tyre, sigurisht nuk do të jetë anëtari i plotfuqishëm i OKB-së”. /Telegrafi/

Exit mobile version