Që nga e hëna e deri në fund të muajit mars, të gjitha mediat do të inspektohen nga Inspektorati i Punës, për të parë se cilat janë kushtet në të cilat punojnë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medial sikurse edhe inspektimi i gjendjes së përgjithshme të të drejtave të tyre.
Nga Inspektorati i Punës thonë se të gjitha mediat që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve do të gjobiten dhe nuk do të ketë imunitet për askënd.
Kjo nismë është bërë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës.
Me rastin e zyrtarizmit të kësaj nisme, kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, tha se të drejtat e gazetarëve në disa media vazhdojnë të jenë problematike.
Po ashtu, ajo u shpreh se derisa gazetarët kujdesen të raportojnë për të tjerët janë edhe vet ata që përballen me shkelje të të drejtave të tyre, siç është shkelja e kontratës, oraret e tejzgjatura të punës dhe mos përmbushja e obligimeve nga punëdhënësi karshi pushimeve javore dhe vjetore.
“Inspektimin e asaj se me çfarë konkretisht ballafaqohen gazetarët dhe punonjësit e tjerë medial në vendin e tyre të punës. E potencuam ka mjaftë shumë shkelje, fatkeqësisht shumica prej gazetarëve janë të privuar t’i paraqesin shkeljet që u bëhen në vendin e tyre të punës si rrjedhojë e frikës nga ndëshkimi nga punonjësit dhe varshmërisë financiare që ne gazetarët e kemi nga paga mujore sikurse edhe të tjerët që punojnë. Të gjitha këto problematika po besoj që nuk mund të eliminohen në tërësi, sidomos marr parasysh një numri shumë të kufizuar të inspektorëve të punës, megjithatë ne e kemi pa të arsyeshme të vazhdojmë bashkëpunimin me Inspektoratin e Punës me qëllim që në këtë fushatë dy mujore të monitorohen mediat, të monitorohet ajo se çfarë është duke u respektuar kur flasim për të drejtat e punëtorëve”, tha ajo.
E para e AGK-së bëri të ditur se shumë shpejt do të ofrojnë një numër të telefonit, ku gazetarët do të kenë mundësi që t’i paraqesin problemet e tyre, ku më pastaj AGK do të njoftojë Inspektoratin e Punës.
Po ashtu, ajo tha se si AGK do të mundohen që të ruhet identiteti i punonjësve të mediave të cilët do të paraqesin shkeljet në vendet e tyre të punës.
Pustina ka kërkuar nga Inspektorati i Punës që trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve.
Ndërkaq, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, tha se asnjë medium nuk do të ketë imunitet nëse evidentohen shkelje dhe për to do të ketë edhe masa ligjore.
Ibrahimi tha se janë të vetëdijshëm që gjendja e të drejtave të punëtorëve medial nuk është në nivelin e duhur, por u shpreh se numri i vogël i inspektorëve e pamundëson që të bëhen më shpesh inspektime.
“Nuk ka imunitet askush dhe nëse konstatohet dhe gjatë inspektimit i ka pasur të njëjtat që i ka pasur edhe më herët gjithsesi që do të merren masa ligjore ndaj tyre dhe ndaj atyre të cilët nuk e respektojnë vendimet e Inspektoratit të Punës. Gjegjësisht gjatë inspektimit konstatojmë që ka shkelje ligjore dhe ne në bazë të ligjit të Inspektoratit e kemi obligim me iu dhënë një afat kohor me i eliminua ato të meta të cilat konstatohen nga ana e inspektorëve. Nëse nuk eliminohen ju siguroj për të gjithë, pa asnjë përjashtim, nuk ka asnjë medium imunitet në Inspektorat të Punës dhe të gjithë do të gjobiten ata që nuk respektojnë vendimet e Inspektoratit të Punës”, tha ai.
Sa i përket kërkesës nga AGK që rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritet, Ibrahimi u shpreh se nuk mund ta premtojë një gjë të tillë, pasi sipas tij ka edhe shumë punëtor të tjerë të cilët janë krejtësisht të pambrojtur në vendin e tyre të punës.
Ai ka treguar se në vitin 2016 kanë bërë një inspektim të mediave, ku kanë hasur 43 punëtorë pa kontrata të punës. Po ashtu, bëri të ditur se një numër i madh i punëtorëve kanë qenë me kontrata për shërbime specifike, si dhe mos respektimi i pushimeve javore dhe vjetore.
Një ndryshim që do të jetë këtë herë sipas Ibrahimit është se të gjitha të dhënat do të bëhen publike.
“Ne deri tani nuk kemi bërë publike raportet, mirëpo në këtë vit raportet e inspektimeve të të gjitha mediave do të bëhen publike në faqen e Inspektoratit të Punës dhe do të kenë mundësi secili ta sheh se si qëndron media në përgjithësi. Si do të qëndrojë nuk është çështje as me i dhënë dikujt material ose jo, por për hir të transparencës dhe për hir të asaj që do të kemi informata secili se si është gjendja, sa respektohen të drejtat si nga aspekti i marrëdhënies së punës gjithashtu edhe nga aspekti i sigurisë në punë”, u shpreh ai.
Kreu i Inspektoratit të Punës ka kërkuar bashkëpunim nga gazetarët që të mos hezitojnë të tregojnë problemet me të cilat përballen në vendet e tyre të punës. Po ashtu, ka kërkuar bashkëpunim edhe sa i përket evidentimit të portaleve të cilat nuk i kanë publike adresat e tyre.
Nisma për inspektimin e mediave do të filloj të hënën e javës së ardhshme dhe do të zgjasë deri në fund të muajit mars./KP