Telegrafi

Mediat ndërkombëtare: Gjykata Speciale nisi me raportin e Dick Martyt

Mediat ndërkombëtare i kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme deklarimit të sotëm të David Schwendiman, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që do të hetojë mbi krimet e pretenduara të kryera nga ish UCK-ja në Kosovë.

Duke raportuar nga Haga ku edhe është selia e kësaj gjykate, gazeta amerikane ‘The New York Times’, i referohet agjencisë së lajmeve ‘The Associated Press’.

Gazeta shkruan se kryeprokurori do të përpiqet të sjell para drejtësisë ata që shkaktuan mizoritë gjatë betejave në Kosovë. Për këtë arsye, kryeprokurori është zotuar se do të kryejë hetime “pa frikë dhe pa favorizime”.

David Schwendiman, një ish prokuror federal në SHBA, i cili ka punuar edhe në Bosnje dhe Afganistan, u ka thënë gazetarëve se është ‘i vetëdijshëm për ndjeshmërinë politike të asaj që do të bëjë”, por ka nënvizuar se “do të drejtohem vetëm nga faktet dhe ligji”.

Këto deklarime, shkruan gazeta amerikane, kryeprokurori i ka bërë gjatë konferencës së parë për media që nga emërimi i tij në këtë detyrë me 1 shtator të këtij viti, transmeton lajmi.net.

Lexo po ashtu Kryeprokurori i Gjykatës Speciale tregon gjithçka rreth hetimeve kundër të dyshuarve!

Gazeta rikujton se ai do të hetojë pretendimet e hedhura në raportin e Dick Martyt, senatorit zviceran i cili në vitin 2010, në Këshillin e Evropës pati hedhur dyshime se ish UÇK-ja, përfshirë edhe presidentin aktual, Hashim Thaçi, janë të përzier në krime kundër serbëve lokalë, të cilëve u janë marrë organet dhe u janë shitur në tregun e zi gjatë viteve 1998-99. Thaçi, shkruan gazeta, i ka mohuar këto pretendime.

Gazeta citon edhe Fidelma Donlon, zyrtaren tjetër të kësaj Dhome të Specializuar të Gjykatës Supreme, që do të veprojë në Hagë të Holandës, të ketë thënë se “qëllimi i aktivitetit gjyqësor” është të fillohet nga gjysma e parë e vitit të ardhshëm.

Donlon gjithashtu ka deklaruar se gjykata, “do të zbatojë standardet më të larta të mbrojtjes së dëshmitarëve”, që do të jenë të përfshirë në proceset gjyqësore të saj.

“Kjo është diçka që ne e marrim shumë seriozisht”, tha ajo.

Në lidhje me këto deklarime kanë raportuare dhe imediate e tjera, si Reuters.