Site icon Telegrafi

Mediat kroate: Vuçiq donte të bënte një vizitë “private” në Kroaci, por Zagrebi ia ndaloi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka planifikuar të vizitojë sot privatisht dy vende në Kroaci, por një vizitë e tillë i është mohuar nga autoritetet kroate.

Siç ka mësuar Jutarnji list nga burime të afërta me qeverinë kroate, Vuçiq ka planifikuar që sot të vizitojë privatisht Jasenovac dhe Pakrac, por autoritetet kroate nuk do ta lejojnë atë të hyjë në vend, përcjell Telegrafi.

Sipas burimeve të paidentifikuara nga qeveria e Andrej Plenkoviq, Vuçiq kontaktoi presidentin e SDSS, Milorad Pupovac dhe i tha atij se po planifikonte një vizitë private në Jasenovac, domethënë në zonën përkujtimore ku vdiqën shumë serbë në Luftën e Dytë Botërore.

Sipas mediave, ai një gjë të tillë ka tentuar ta bëjë pa njoftim zyrtar për autoritetet kroate dhe pa koordinim me ambasadën.

Kështu, Qeveria ka deklaruar jozyrtarisht se Vuçiq nuk respektoi asnjë protokoll, se donte të bënte gjithçka jashtë procedurave dhe rregullave të marrëdhënieve diplomatike dhe se donte të kalonte kufirin kroat me ekipet e tij televizive dhe “të bënte çfarë të donte këtu”.

“Por kryeministri Plenkoviq dhe Qeveria thanë qartë jo. Ne jemi një vend i pavarur, anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe ai nuk mund të bëjë çfarë të dojë këtu. Politika e ‘botës gjithëserbe’ nuk do t’i funksionojë në Kroaci”, citohet të ketë thënë burimi. /Telegrafi/

Exit mobile version