Site icon Telegrafi

Mediat kroate: Tifozët e të dy përfaqësueseve të përqafuar e presin takimin (Foto/Video)

Kosova, Kosova dhe Kroacia, Kroacia… këto janë brohoritjet në rrugët e Shkodrës para ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë. Tifozët e të dy përfaqësueseve të përqafuar e presin takimin. Kështu e përshkruajnë mediat kroate atmosferën para sfidës në qytetin e Shkodrës.

“Porsa kemi arritur në Shkodër, jemi ulur në një kafene të qytetit. Akoma nuk kishim porositur birra, ndërsa menjëherë na u afruan kosovarët dhe na lutën për fotografi të përbashkët”, ka treguar një prej tifozëve kroatë për 24sata.hr, transmeton Telegrafi.

Këngë, festë, fotografi të përbashkëta, biskota dhe akullore pa pagesë… Kjo është vetëm një pjesë e folklorit që përshkon uverturën para ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë. Nuk ka probleme, nuk ka rrahje, nuk ka thyerje të shisheve, gotave dhe skenarë të ngjashëm, që fatkeqësisht ka ndodhur nëpër qytetet, ku Kroacia ka luajtur si mysafire – raportojnë mediat e Kroacisë.

Lexo po ashtu LIVE: Kosovë-Kroaci (0-6)

“Sigurimi rreth hotelit ku është vendosur përfaqësuesja (kroate) është shumë i madh, por në qytet nuk kemi parë asnjë polic”, kanë thënë tifozët kroatë për mediat e tyre.

Lexo po ashtu Festë vëllazërore, tifozi kroat i bie çiftelisë (Video)

Kroatët dhe kosovarët së bashku qëndrojnë ulur në tavolina dhe bëjnë tifo: “Kosova, Kosova, Kroacia, Kroacia” – këndojnë të përqafuar tifozët e të dyja përfaqësueseve. /Telegrafi/

Exit mobile version