Telegrafi

Mediat franceze ‘kryqëzojnë’ Donnarumman për paraqitjen e mbrëmshme

Mediat franceze fajësojnë Gigio Donnarumma për golin e parë të Newcastle kundër PSG-së, duke rritur presionin ndaj italianit.

Gjigantët e Ligue 1 duhej të falënderonin Kylian Mbappen që mbajti të gjalla shpresat e tyre për kualifikime në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve duke shënuar një penallti të vonshme dhe të diskutueshme kundër Magpies të martën.

Skuadra e Ligës Premier kishte kaluar në epërsi në pjesën e parë me anë të Alexander Isak, i cili shënoi nga një top i kthyer. Donnarumma kishte pritur goditjen e Miguel Almiron, por nuk arriti ta mbante topin fort, duke çuar në këmbët e sulmuesit suedez që realizoi me lehtësi.

Lexo po ashtu PSG merr një pikë fare në fund ndaj Newcastles

Siç raportohet nga korrespondenti i La Gazzetta dello Sport në Francë, Alessandro Grandesso, Donnarumma është kritikuar rëndë nga mediat franceze pas barazimit të PSG-së.

Portieri italian u vlerësua 3/10 nga L’Equipe dhe Le Parisien, të cilët shkruan se Gigio ishte ‘plotësisht përgjegjës’ për golin e Newcastle. Le Monde i dha Donnarummas të njëjtin vlerësim, duke fajësuar italianin për një tjetër gabim përpara golit të Isak, kur portieri kishte bërë një pasim të ndërlikuar ndaj Achraf Hakimi, duke çuar në një shans të qartë për Magpies, të humbur nga Isak.

Presioni vazhdon të rritet mbi Donnarumman në Francë pasi performanca e tij e dobët kundër Newcastle erdhi disa ditë pas fitores 5-2 ndaj Monacos, ku, megjithatë, Gigio i kishte dhuruar një gol Takumi Minaminos duke ia kaluar aksidentalisht topin anësorit japonez brenda zonës. /Telegrafi/