Site icon Telegrafi

Mediat evropiane: Bedri Hamza mund të sjell qasje të re në qeverisje

Mediumi EU Today ka botuar një analizë te zgjedhjeve në Kosovë, duke bërë një sërë parashikimesh rreth mundësisë së ndryshimit të qeverisjes në Kosovë. Sipas këtij portal, “marrëdhënia e Kurtit me ShBA dhe BE-në është përkeqësuar në vitet e fundit dhe ka ardhur koha për një qasje të re. Britania mund të ofrojë mbështetje për një qeveri të re”.

EU Today po ashtu vlerëson se “zgjedhjet e 9 shkurtit mund të sjellin një qeveri të re, me shumë gjasa të udhëhequr nga Bedri Hamza, kryetari aktual i Mitrovicës Jugore dhe ish-Ministër i Financave”.

Më tutje, EU Today përshkruan profilin e kandidatit te PDK për kryeministër Bedri Hamza, duke e quajtur si “një figurë e qetë, e fokusuar tek ekonomia, shëndetësia dhe arsimi; pikat kyçe që i duhen gjithë rajonit për të ecur përpara”.

Sipas këtij mediumi, “nëse Hamza bëhet lideri i ri i Kosovës, kjo do të mirëpritej nga Uashingtoni, kryeqytetet e BE-së dhe do të përbënte një mundësi për qeverinë laburiste britanike që të përfitonte nga një investim strategjik në politikën e jashtme”.

Autori po ashtu thërret që Britania të luajë një rol më aktiv në Ballkan: “David Lammy në rolin e tij si sekretar i jashtëm në hije bëri një vizitë të hershme në Kosovë. E pyetja që shtrohet është se nëse ai mund ta kthejë këtë shprehje interesi në një angazhim serioz britanik për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të rajonit ose të paktën për të ulur tensionet? Kjo do të ishte një mundësi për të treguar se Britania po rikthehet si një fuqi kyçe evropiane, pa pritur një rikthim të mundshëm në BE.”

Ky është shkrimi i plotë në EU Today dhe editoriali nga Denis McShane, ish ministër në Qeverinë e Tony Blair:

Një Rol i Ri Evropian për Britaninë në Ballkan
Nga Denis MacShane

Burrështetasi amerikan i periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, Dean Acheson, në thënien e tij të famshme të vitit 1962 tha: “Britania ka humbur një perandori dhe ende nuk ka gjetur një rol.”

Më vonë, Britania e gjeti rolin e saj si një nga shtetet kryesore në formësimin e politikës së jashtme të BE-së. Megjithatë, Rupert Murdoch, Boris Johnson dhe Nigel Farage e reduktuan Mbretërinë e Bashkuar në një lojtar të margjinalizuar në strategjinë e politikës së jashtme të kontinentit, pavarësisht se Britania mbetet një nga fuqitë kryesore të NATO-s, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një vend me fuqi ushtarake e bërthamore.

Në vitet e 90-ta, Evropa u tregua e pafuqishme përballë mizorive serbe në ish-Jugosllavi. Mirëpo, Tony Blair e ndryshoi këtë realitet. Ai krijoi një aleancë me Gjermaninë, Francën dhe Italinë ku e përfshiu edhe ShBA-në për të ndërhyrë në Ballkan dhe për t’i ndalur skuadrat e vdekjes, spastrimet etnike dhe flukset e refugjatëve që iknin nga ushtria dhe milicia serbe.

Millosheviçi përfundoi në Hagë, por pasi luftimet u ndalën, krijimi i një paqeje të qëndrueshme u bë e pamundur.

Sot, shtetet e dalura nga ish-Jugosllavia – Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Mali i Zi ende nuk kanë arritur të krijojnë një politikë të re të bazuar në njohje reciproke dhe stabilitet të brendshëm.

Qeveria e re nacionaliste në Maqedoninë e Veriut së fundmi shkatërroi marrëveshjen e arritur me Greqinë për emrin e vendit, duke zhytur marrëdhëniet Shkup-Athinë në pikën më të ulët që prej nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Britania vijon të gëzojë respekt në rajon për rolin e saj kyç në ndërhyrjen që ndali mizoritë serbe. Londra dërgoi trupa ushtarake, diplomatë dhe ndihma ekonomike për të stabilizuar Ballkanin. Cathy Ashton, Përfaqësuesja e parë e Lartë për Politikë të jashtme të BE-së, punoi pa u ndalur nga viti 2009 deri në 2014 për të mbajtur rajonin në drejtimin e duhur.

Por pas Brexit-it dhe prishjes së marrëdhënieve me vendet anëtare të BE-së dhe me institucionet e Brukselit, Britania ndaloi së qeni një faktor serioz në politikën e jashtme evropiane.

Megjithatë, pasiguria e vazhdueshme në rajon, nga Shqipëria deri në Egje, ka rritur fluksin e emigrantëve ekonomikë dhe azilkërkuesve që prekin edhe Britaninë. Ndërkohë, Kina po zgjeron praninë e saj dhe qeveria e Beogradit është kthyer në një instrument të Putinit.

David Lammy në rolin e tij si sekretar i jashtëm në hije bëri një vizitë të hershme në Kosovë. E pyetja që shtrohet është se nëse ai mund ta kthejë këtë shprehje interesi në një angazhim serioz britanik për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të rajonit ose të paktën për të ulur tensionet?

Kjo do të ishte një mundësi për të treguar se Britania po rikthehet si një fuqi kyçe evropiane, pa pritur një rikthim të mundshëm në BE.

Respekti për Britaninë në rajon mbetet i madh. Vitin e kaluar, në Ferizaj u ngrit një statujë e Tony Blair-it.

Ndërkohë që shumica e shteteve ish-jugosllave mbeten të përfshira në politika nacionaliste dhe të personalizuara, Kosova ka ndërtuar një demokraci të vërtetë; një arritje e jashtëzakonshme për një vend që vetëm 25 vite më parë ishte një zonë lufte.

Kosova është i vetmi shtet në ish-Jugosllavi që për 10 vite radhazi ka progresuar vazhdimisht në indeksin global të demokracisë. Ka media të lira, shoqëri civile aktive dhe një rotacion të rregullt të partive në pushtet.

Pas katër viteve të qeverisjes nga Albin Kurti, zgjedhjet e 9 shkurtit mund të sjellin një qeveri të re, me shumë gjasa të udhëhequr nga Bedri Hamza, kryetari aktual i Mitrovicës Jugore dhe ish-ministër i financave.

Marrëdhënia e Kurtit me ShBA dhe BE-në është përkeqësuar në vitet e fundit dhe ka ardhur koha për një qasje të re. Britania mund të ofrojë mbështetje për një qeveri të re. Hamza është një figurë e qetë, e fokusuar tek ekonomia, shëndetësia dhe arsimi; pikat kyçe që i duhen gjithë rajonit për të ecur përpara.

Nëse ai bëhet lideri i ri i Kosovës, kjo do të mirëpritej nga Uashingtoni, kryeqytetet e BE-së dhe do të përbënte një mundësi për qeverinë laburiste britanike që të përfitonte nga një investim strategjik në politikën e jashtme.

Kryeministri në largim, Albin Kurti, mund të marrë rreth 35% të votave, por Hamza synon të krijojë një koalicion të gjerë opozitar për të formuar qeverinë e re.

Nëse ai arrin që me ndihmën e Britanisë, të rrisë prezencën e Kosovës në BE dhe në komunitetin e gjerë ndërkombëtar, Kosova do të jetë në një pozicion më të mirë në përpjekjet e saj për njohje të plotë ndërkombëtare; diçka që Putini e kundërshton ashpër, pasi synon të pengojë çdo zhvillim që do ta largonte rajonin nga ndikimi i tij.

Britania mund të ndihmojë në krijimin e një kulture politike më të shëndetshme në Ballkan, një rajon ende i mbërthyer nga demonët e nacionalizmit, urrejtje historike dhe politikanët populistë.

Kjo do të dërgonte një sinjal të qartë se Britania është rikthyer si një fuqi që i shton vlerë Evropës dhe ndihmon në largimin e Ballkanit Perëndimor nga Putinizmi, duke ndjekur një të ardhme më të mirë evropiane për të gjithë qytetarët e këtij rajoni. /Telegrafi/

Exit mobile version