Këngëtarja e re e skenës sonë, Diona Fona, duket se po i hap rrugë vetes edhe në skenën ndërkombëtare, pasi për të tashmë kanë filluar të shkruajnë edhe mediat e huaja.
Diona Fona është një kantautore shqiptare e rritur në Britani që ka bërë menjëherë përshtypje në skenën muzikore me këngën debutuese “Havera”. Kështu nis artikulli duke e prezantuar këngëtaren.
Është një muzikë infektuese pop e plotësuar me disa elemente të muzikës ‘dancehall’ dhe EDM, që ma përkujton kantautoren nga Kosova, Era Istrefi dhe hitin e saj të madh “BonBon” të lansuar në vitin 2016 – shkruan në artikull.
Më tej thuhet se kënga “Havera” është e para nga albumi i saj debutues, i cili pritet të publikohet gjatë këtij viti përmes AVD Digital.
Kënga “Havera” është prodhim i krijuesit të shumë hiteve Big Bang (REDBOX Entertainment), ndërsa për tekstin është kujdesur vet Diona në bashkëpunim me Gjikon.
Videoja është lansuar në YouTube më 17 maj, kurse regjinë e ka bërë Valon Aziri. /Telegrafi/