Site icon Telegrafi

Mediat e huaja për trenin që u kthye mbrapsht: Tensionim dramatik i situatës!

Agjencitë botërore kanë raportuar për ndalimin e trenit që u nis nga Beogradi për në Mitrovicë. Disa nga to thonë se tensionimi i situatës nisi me ndalimin në Francë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Agjencitë shkruan se treni ishte prodhuar në Rusi dhe se ishte dekoruar me motive etnike dhe fetare serbe, me afreske, dhe se në 20 gjuhë të huaja, përfshirë shqipen, ishte shkruar: “Kosova është Serbi”.

AP shkruan se ndalja e trenit ka shkaktuar eskalim e tensionim dramatik të situatës të ish-armiqve të luftës, transmeton Telegrafi.

AFP shkruan se kryeministri serb, Aleksandar Vuçiqi, ka urdhëruar që treni të ndalet në Rashkë, për të shmangur konfliktin dhe për të shpëtuar jetë.

Po ashtu, mediat e huaja citojnë autoritetet e Kosovës që kanë thënë se treni nuk do të futet në këtë shtet dhe se Prishtina shqetësimin ia ka shprehur Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mediat franceze shkruajnë se raportet mes Prishtinës dhe Beogradit janë në nivelin më të keq që nga nënshkrimin “historik” i Marrëveshjes së Brukselit më 2013.

Për ngjarjet e sotme ka raportuar edhe Reuters, sipas së cilës gjithçka është në vazhdën e tensionimit të situatës si rezultat i kërkesës së Serbisë për ekstradimin e Haradinajt nga Franca. Ndërsa, Euronews shkruan se me “trenin e saj provokues”, Serbia ka hidhëruar Kosovën. /Telegrafi/

https://twitter.com/SputnikInt/status/820378707890085890

Exit mobile version