Pas publikimit të lajmit se Justin Doellman ka pranuar të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në basketboll, reagimet në media dhe në opinion kanë qenë të shumta dhe të ndryshme.
Mediat më të mëdha spanjolle që merren me sportin, përfshirë El Mundo Deportivo, Sport.es dhe AS e kanë publikuar këtë lajm, duke dhënë edhe detaje për takimin që krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) patën me Doellmanin në Barcelonë, transmeton Koha.net.
Inkuadrimi i Doellman-it në Kombëtaren e Kosovës ka qenë lajm edhe në portalet si Eurobasket, Sportando e Talkbasket, derisa është transmetuar në mediat në Portugali, Estoni, Finlandë dhe shumë vende tjera të Evropës, kurse vëmendje këtij lajmi i është dhënë edhe në mediat sportive në rajon.
Në mediat e Sllovenisë, njërit nga kundërshtarët e Kosovës në kualifikime pohohet se Doellman ka përvojë të madhe në basketbollin evropian dhe do të jetë përforcim për Kombëtaren e Kosovës, kurse portali sarajevas Slobodna Bosna në titullin e vet shkruan “Kjo është punë serioze: Ylli i Barcelonas do të luajë për Kosovën”.
Mediat serbe ndërkaq lajmin e kanë transmetuar duke bërë edhe komente mllefi që nuk kanë të bëjnë me basketboll dhe me sport.
Lajmi për Doellmanin për herë të parë e vendosë Kombëtaren e Kosovës në basketboll në vëmendjen e opinionit sportiv ndërkombëtar dhe e bën atë temë mediale në Evropë.
Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, lidhur me reagimet që e pasuan këtë lajm për basketbolli.com ka deklaruar se kjo është përtej pritshmërive.
“Ne kemi pritur që lajmi do të zgjojë kureshtje por kjo është edhe përtej pritshmërive tona. Kemi një mobilizim të të gjithëve përreth kombëtares sonë dhe shpresoj që këtë do ta kapitalizojmë duke siguruar përkrahje të sponsorëve dhe përkrahje të tifozëve në ndeshjet tona. Ky ka qenë kurorëzim i një pune të gjatë që e kemi bërë ne në FBK, por që si nismë, ka buruar nga kryetari i KB Sigal Prishtina, Blerand Stavileci, të cilin e falënderoj dhe them se kjo është vetëm dëshmia e radhës për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që kreu i FBK-së, i ka me klubet kryesore në Kosovë”, ka thënë Belegu.
FBK tashmë është në pritje që Presidenca e Kosovës të përfundojë të gjitha procedurat për natyralizimin, gjegjësisht pajisjen e Justin Doellmanit me shtetësi dhe pasaportë të Kosovës.