Site icon Telegrafi

Mediat austriake: Draft-deklarata e samitit në Slloveni, pa datë aderimi për Ballkanin Perëndimor

Draft-deklarata e Samitit të nesërm BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni nuk përmban asnjë datë për aderimin e vendeve të rajonit në familjen e madhe evropiane, raportojnë mediat austriake.

Në deklaratë, BE nënvizon mbështetjen e qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit.

Shtypi austriak gjithashtu raporton se vendimet do të merren në bazë të reformave të besueshme të partnerëve, kushteve të drejta dhe strikte, si dhe kontributeve individuale të kandidatëve për anëtarësim, transmeton KP.

Deklarata nuk përmban një datë ose udhërrëfyes të vetëm, duke përfshirë fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Austria, ashtu si Sllovenia, loboi që data të veçanta të gjenden në deklaratë.

Sllovenia ka propozuar që të jetë viti 2030, kur duhet të përfundojë procesi i zgjerimit me të gjithë kandidatët në rajon.

Sipas mediave austriake, Franca është mbi të gjitha vendet e tjera që po pengojnë zgjerimin e BE-së.

Exit mobile version