Të premten mbrëma janë parë disa skena të pahijshme në Madrid, pasi mësohet se 50 tifozë të Tottenham Hotspurit janë sulmuar nga policia e Spanjës para finales së Ligës së Kampionëve.
Një video e publikuar ka bërë bujë në rrjetet sociale, pasi aty shihet se si policët spanjollë sulmojnë tifozët e skuadrës angleze gjersa po qëndronin në një lokal.
Sipas mediave në Angli, tifozët e Tottenhamit ishin paralajmëruar nga policia e Spanjës se duhej të largoheshin nga lokali, por më pastaj filluan t’i sulmonin ata, nën arsyetimin se po e prishin qetësinë publike.
“Atmosferë brilante në një natë në Madrid, por disa skena në mes të policisë dhe tifozëve në lokal, afër ‘Puerta de Sol’. Oficerët me shkopinj gome kanë sulmuar tifozët, duke i detyruar të shpërndahen, ndërsa tifozët e Tottenhamit i kanë akuzuar ata për sulm të qëllimshëm”, ka raportua korrespodenti i The Telegraph.
Por, policia spanjolle ka reaguar menjëherë, duke thënë se tifozët e Tottenhamit i kanë sulmuar ata të Liverpoolit me gjësende të forta.
“Ne kemi ndërhyrë në mes të dy tifozerive, pasi ata të Tottenhamit kishin sulmuar të Liverpoolit me gjësende të forta dhe është dashur që t’i detyrojmë ata të shpërndahen dhe situata ka kaluar e qetë”, i ka thënë një polic gazetarit të The Telegraph. /Telegrafi/