Majlinda Kelmendi është xhudistja kosovare që ka fituar shumë medalje në këtë sport. Tash pejania po bëhet gati në qendrën sportive të klubit Ippon për Olimpiadën e Rios, që mbahet vitin tjetër.
E përditshmja “Sept”, në versionin e saj online (sept.info), e ka vizituar kampionen botërore, duke e bërë një reportazh me të. Duke e përshkruar vendin ku ushtron kampionia me shoqe dhe shokë, kjo e përditshme e ka nisur bisedën me 24-vjeçaren, e cila, pavarësisht moshës së re, është bërë dy herë kampione e botës, shkruan Zëri.
Tash ajo synon suksesin e karrierës në “Rio 2016”. “Do të kthehem nga ‘Rio’ me medalje”, ka thënë krenaria e sportit kosovar, e cila nuk do të shkojë në Brazil vetëm për pjesëmarrje.
Ajo e ka përshkruar edhe veten, duke folur që nga hapat e parë që i kishte marrë në këtë sport luftarak. “Isha një fëmijë i qetë, por duke e praktikuar këtë sport kam ndryshuar. Jam bërë agresive. E kam kuptuar se mund të bëhem dikush në jetë”, vijoi ajo.
Refuzoi oferta për Kosovën
Majlinda vite më parë nuk kishte përkrahje institucionale dhe nuk mund ta përfaqësonte Kosovën. Për këtë ajo e kishte menduar largimin, por në fund vendosi t’i qëndronte besnike vendit të saj, pavarësisht ofertave të majme.
“Kam pasur oferta vërtet serioze, më kanë ofruar shumë para. Kanë arritur oferta nga vende si Azerbajxhani e Turqia”, shtoi ajo.
Pejania, e cila garon në kategorinë 52 kilogramësh, së fundmi u rikthye pas pushimit prej afro 10 muajsh, për shkak të operimit të gjurit. Ajo i ka intensifikuar ushtrimet, pasi synon të jetë në kulmin e formës në evenimentin më të rëndësishëm sportiv në botë.