Site icon Telegrafi

Medalja e Arifit u arrit pas pengesave sportive e politike

Arifi 20-vjeçar është krenar me suksesin e arritur, por po ashtu ndien se është viktimë e rrethanave politike që ishin pjesë e pandashme e evropianit për të rinj që u mbajt në Qipro.

Arifi medaljen e fitoi në luftëra, në kategorinë deri 60 kilogramë për 21-vjeçarë. Mposhti garues nga Hungaria, Greqia, Maqedonia, ndërsa në gjysmëfinale u ndal nga një spanjoll, ndonëse ishte duke udhëhequr 4:1. Në luftë për medalje të bronztë mposhti një gjerman, shkruan sot Koha Ditore.

Në fakt pjesëmarrja e Kosovës ishte në dyshim, pasi autoritetet qipriote kërkuan që kosovarët të garojnë në evropian pa simbole shtetërore. Kjo kërkesë nuk u realizua, por presioni i organizatorit nuk u ndal deri në fund të kampionatit.

"Është medalja më e vlefshme për mua deri më tani, sepse është rezultati më i madh për Kosovën prej anëtarësimit në Federatën Botërore të Karatesë. Natyrisht që jam ende i zhgënjyer, sepse me një këmbë isha në finale, mirëpo gjyqtari kryesor më penalizoi në gjysmëfinale me vërejtjen e katërt vetëm pak sekonda para përfundimit të luftës", ka thënë Orges Arifi në një bisedë për gazetën.

"Mendoj se jam penalizuar me vërejtjen e katërt pa të drejt. Gjyqtari sikur ka pritur për ndonjë veprim timin për të më diskualifikuar. Isha bindshëm më i mirë se spanjolli dhe rezultatin jam i sigurt se do ta mbroja pa asnjë problem deri në fund. Por mendoj se nuk kanë dëshira që Kosova të ketë finalist në këtë kampionat në të cilin ishte e përzier shumë politika dhe me çdo kusht tentohej që të mos intonohej himni i Kosovës", ka shtuar Arifi.

Në evropian u paraqitën 12 karateistë nga Kosova, ndërsa Federata kosovare e karatesë e vlerësoi pjesëmarrjen të suksesshme. Pos medaljes së Arifit u sigurua edhe një vend i pestë, tri vende të shtata dhe një vend i nëntë. 

Exit mobile version