Zgjedhjet lokale në Kosovë sa vijnë e bëhen më të nxehta, por në të njëjtën kohë më problematike. Mos përfshirja e OSBE-së si partner i KQZ-së në organizimin e përgjithshëm, do të hapë probleme të reja të ndarjes së territorit të Republikës së Kosovës. Por, angazhimi i OSBE-së si partner i Komisionit Qendror Zgjedhorë në Kosovë, krijon një sërë lehtësimesh dhe parandalon një ndarje të territorit të vendit.
Angazhimi i OSBE-së në zgjedhjet lokale vetëm në veri të Kosovës do të krijoi precedent ku banorët serbë të kësaj pjese mund të kërkojnë edhe në të ardhmen që vetëm OSBE-ja t’i zhvillojë zgjedhjet në këtë pjesë të Kosovës. Madje më pas mund të kërkojnë që vetëm OSBE-ja të menaxhojë zgjedhjet në të gjitha zonat e banuar me serbë në territorin e Republikës së Kosovës. Kështu bëhet ndarja!
Ekipi negociator i Kosovës dhe ekipi negociator i OSBE-së i udhëhequr nga Pascal Heyman për Çështjen e Zgjedhjeve, duhet të gjejnë modelin më të mirë të organizimit të përbashkët të zgjedhjeve lokale si partner i barabartë. Kjo i hapë rrugën edhe partneriteteve të ardhshme me OSBE-në, deri në anëtarësim të plotë në këtë organizatë.
Përfshirja e OSBE-së në kuadër të procesit zgjedhor si partner i KQZ-së ngërthen në vete tri përfitime për vendin:
1. Nuk krijohet precedenti i ndarjes së territorit të Kosovës ne Veri dhe Jug.
2. Zgjedhjet do të jenë demokratike dhe të njohura ndërkombëtarisht.
3. Zvogëlohet mundësia e vjedhjeve apo keqpërdorimeve në zgjedhje.
Pra, përfitimet për Republikën tonë janë të shumta dhe me interes strategjik. Mbi të gjitha Kosova fiton një reputacion dhe kredibilitet ndërkombëtarë pas daljes së zymtë nga zgjedhjet e fundit.