Site icon Telegrafi

Më shumë kajsi për industrinë përpunuese

Agrobizneset dhe fermerët që merren me kultivimin e kajsive tregojnë se Kosova ka nevojë për më shumë kajsi, deri sa sipas tyre leverdia është mjaft e mirë.

Alban Ibrahimi nga Kompania “Moea” në Gjilan, e cila prodhon lëngje pa sheqer dhe pa shtesa tjera, tregon se aktualisht janë duke kultivuar me kajsi një sipërfaqe prej katër hektarëve. Ai tregon për portalin “Ferma Ime” se sipërfaqet që i kultivojnë nuk janë të mjaftueshme për përpunim në kompaninë e tij. Ibrahim tregon se brenda një jave ose 10 ditëve do të jenë të pjekura kajsitë. “Në kompaninë ‘Moea’, kemi një plantacion prej 4 hektarëve me kajsia, një pjesë e shesim si fruta të freskëta, e 60 deri në 70 për qind të tyre i përpunojmë për nevoja të fabrikës”, tha ai.

Ky kultivues tregon se gjendja e kajsive është e mirë, por problem për ta mbetet mungesa e tyre në treg si dhe mos kultivimi në sasi të mëdha nga fermerët edhe pse është pemë e cila ka shitje. “Problem për neve si kompani mbetet mungesa e kajsive në treg e po ashtu pemishteve komerciale. Ne kemi disa marrëveshje me fermerët për tu blerë frutat por nuk ka fermerë i cili e ka pemishten me kajsi më të madhe se 50 ari”, tha ai.

Alban Ibrahimi thekson se për dallim me vendet e rajonit ku kajsitë janë prishur nga ngricat tek ata nuk i ka rrokur ngricat. “Ne i kemi shpëtuar frutat pa u prekur nga ngricat sikurse që ka ndodhur në Maqedoni. Gjendja është e mirë dhe presim që t’i kemi frutat pjekura për një jave deri në 10 ditë”ka theksuar Alban Ibrahimi.

Ai fton të gjithë fermerët të cilet kanë kajsi të kultivuar mund të drejtohen tek ata për t’i shitur frutat e tyre.

E ndërkaq, statistikat zyrtare tregojnë se brenda një vitit në vendin tonë kultivohen 22 hektarë me kajsi, derisa prodhimi vjetor arrin në mbi 83 ton.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë pavarësisht kushteve të favorshme si dhe traditës për prodhimin e pemëve, ato nuk janë të mjaftueshme. “Statistikat bujqësore tregojnë se edhe pse prodhimi i pemëve ka pasur rritje gjatë viteve të fundit si rezultat i rritjes së sipërfaqeve dhe rendimenteve, Kosova ende vazhdon të importojë sasi të konsiderueshme frutash të freskëta, të thata, të përpunuara (kryesisht në forme konservash dhe lëngjesh)”, kanë treguar ata.

Kurse, për të shtuar cilësinë dhe sasinë e prodhimtarisë të pemëve, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë viteve të fundit ka përkrahur përmes granteve një numër të madh të pemëtarëve në gjithë territorin e Kosovës. /FermaIme/Telegrafi/
 

Exit mobile version