Liu më 11 qershor po kalonte urën në qytetin Shenzhen, kur pa një grumbull njerëzish. Shumë kalimtarë rasti ishin ndalur dhe po shikonin një të ri i cili me thikë në dorë kërcënonte se do të kërcente nga ura e lartë.
“E pashë se të gjithë vetëm shikonin dhe askush nuk përpiqej ta ndihmonte”, rrëfeu kamerierja 19 vjeçare e cila punon në një hotel. “Mendova se mund ta shpëtoj”. Liu tha se nuk e kishte parë kurrë djaloshin, por e kuptoi se policia nuk po arrinte t’ia mbushte mendjen që të hiqte dorë nga tentimi për të kërcyer nga pengesa e jashtme e urës.
Ajo arriti të zhbirohej nëpërmjet turmës duke thënë se është e dashura e djaloshit, i cili kërcënonte se do të mbytej dhe këtë dëshironte ta bënte shkaku i saj.
“E vërteta është se unë kurrë nuk e kisha parë më herët atë djalë, por këtë e shpika aty për aty,” tha vajza për mediat kineze. Sipas një televizioni lokal, djaloshi provoi të vriste veten pasi kohë më parë i kishte vdekur e ëma, ndërsa njerka sillej shumë keq ndaj tij dhe ai ishte arratisur nga shtëpia pasi kishte vjedhur paratë e babait.
“Ai më tha se më nuk kishte para dhe se askujt nuk ia ndiente për të dhe askush nuk i besonte. Unë nuk iu përgjigja asgjë, por vetëm ia tregova shenjat në dorën e djathtë”, tha vajza, e cila pranoi se edhe ajo vetë kishte tentuar të vriste veten duke prerë venat dhe duke u hedhur nga një lartësi. /Telegrafi/