Telegrafi

Më pak familje me ndihma sociale, më shumë pensionistë

Numri i familjeve të cilat kanë përfituar ndihmë sociale në vitin 2014, ka qenë 27.389 me gjithsej 113.842 anëtarë. Krahasuar me vitin 2013, numri i familjeve që kanë përfituar ndihmë sociale ka shënuar rënie për 2.229 familje, ose shprehur në përqindje është 7.7%, njoftoi sot Agjencia e Statistika të Kosovës (ASK), duke prezantuar publikimin e saj “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për vitin 2014.

Në të njëjtën kohë, sipas rezultateve të dala nga publikimi, rezulton se numri i përfituesve nga pensionet bazike të moshës, ka qenë 125.883. Krahasuar me vitin 2013, numri i përfituesve nga pensionet bazike të moshës ështëmë i madh për 8.841 përfitues, ose shprehur në përqindje 7.5% .

Numri i përfituesve nga pensionet kontributpaguese të moshës në vitin 2014 ishte 38,651.Krahasuar me vitin 2013, numri i përfituesve nga pensionet kontributpaguese të moshës në vitin 2014 është më i madh për 2.636, ose shprehur në përqindje 7.3%.

Në njoftimin e ASK-së jepen të dhëna edhe për numrin e fëmijëve të braktisur gjatë vitit 2014, i cili ka qenë 42, që është për 10 më pak se në vitin 2013.

Publikimi “Statistikat e Mirëqenies Sociale” ofron të dhëna për skemën e ndihmës sociale, skemat e pensioneve bazë, pensioneve kontributpaguese, pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur, të dhëna për shtëpitë për personat e moshuar dhe pa përkujdesje familjare etj. Më shumë informata lidhur me publikimin mund të gjenden në ueb-faqen e ASK-së: http://ask.rks-gov.net/. /Telegrafi/