Dafina Xh. Smajli
Dëgjimi i muzikës është një proces, të cilin ne me apo pa vetëdijen tonë, e përdorim shpesh si terapi. Duke dëgjuar muzikë, duke improvizuar (kënduar tinguj vokal apo instrumental), rikrijuar (kur shtojmë diçka nga vetvetja), kompozuar (“krijuar” një melodi të re) dhe me të gjitha aspektet e saj fizike, emocionale, mendore, shoqërore, estetike dhe shpirtërore, na ndihmojnë që të përmirësojmë ose ruajmë shëndetin tonë. Në disa raste, nevojat e njerëzve janë të adresuar drejtpërdrejt përmes muzikës.
Në shtetet e zhvilluara, muzika si terapi përdoret tek individë të të gjitha moshave dhe me një shumëllojshmëri të kushteve, duke përfshirë: çrregullime psikike, probleme mjekësore, të metat fizike, dëmtime sensoriale, aftësi të kufizuara zhvillimore, lapsuse të komunikimit, probleme ndërpersonale e shumë të tjera. Ajo përdoret gjithashtu për të ndërtuar vetëbesimin, zvogëlimin e stresit, ushtrimin fizik dhe të lehtësojë një mori aktivitetesh të tjera të lidhura me shëndetin.
Përpos në caffe shop, disco, bar, e lokale tjera, sot muzikën e hasim në spitalet e përgjithshme, objektet psikiatrike, shkolla, burgje, qendra komunitare, institutet e trajnimit, praktikat private dhe universitete. Në muzikë besojnë të gjithë individët dhe grupet, pavarësisht nga mosha apo njohurit muzikore.
Që të përfitosh nga muzika nuk duhet të jesh muzikant apo njohës i mirë i muzikës, por duhet ta gjesh veten duke dëgjuar, gjegjësisht duke bërë përzgjedhjen e duhur në kohën e duhur! Një barsoletë të përmirëson humorin, fjala e mirë shëron plagë, një film ta përmirëson ditën, një tregim të jep këshillë. Po, një melodi apo një pjesë muzikore e qëlluar në momentin e duhur të bën rrugën të shkurt edhe të sigurt, të largon stresin, të kthen humorin , të disponon, të bën të lumtur, të nxit, të motivon të frymëzon…?
Për shembull, imitimi është më i përshtatshëm për ata që kanë nevojë që të zhvillojnë krijimtarinë, spontanitetin, lirin e shprehjes, komunikimin dhe aftësitë profesionale. Këto janë kërkesat themelore të improvizimit.
Shpesh kemi dëgjuar dikë duke kënduar (rikrijuar një këngë që herë-herë na duket e njohur) e që në të vërtet kjo nuk ka lidhje me këngën, as me taktin, rimën, melodinë, tekstin etj., po ka lidhje me një gjë shumë të rëndësishme . Ai apo ajo është duke marrë terapi për veten e tij, e cila për të është shumë e rëndësishme, sepse rikrijimi është përvoja më e përshtatshme për njerëzit që kanë nevojë për të, të mësojnë sjellje adaptive, të mbajnë orientim real dhe sjellje mjeshtërore në role të ndryshme, ose të punojnë në mënyrë bashkëpunuese në realizim të qëllimeve të përbashkëta.
Kur dëgjimin e muzikës e kombinojmë me leximin, krijohet një surealizëm i cili na ndihmon që ta kuptojmë më mirë botën objektive. Shumë më lehtë do të angazhohemi, marrim vendimet dhe ato vendime nuk do të jenë në dëm të askujt.
Sot në botë është në zhvillim të hovshëm Terapia Muzikore. Me përzgjedhjen e programit merren të punësuarit, si mjeku, konsulenti, administratori, supervizori, apo një profesor kolegji. Çdo opsion përfshin vende të ndryshme të punësimit dhe kërkesat e ndryshme të kualifikimit.
Te njerëzit që kanë abuzuar me alkoolin dhe drogën deri në varshmëri, dëgjimi i muzikës dhe shkrimi për jetën e tyre është një mjet i shkëlqyer për rikthimin e besimit dhe mundjes së frikës irracionale, dhe synimin e tyre për të ndryshuar. Kjo terapi përdorët në klinikat prestigje në Amerikë dhe Evropë.
Gjatë verës pata edhe një kontakt me një shokun e babit tim, i cili punon si mjek në një klinikë prestigjioze në Gjermani. Me të biseduam për aplikimin e muzikës si terapi. Përshtypje më bëri tregimi i tij për të sëmurët nga kanceri, por edhe tek të sëmurët tjerë të cilët ai i mjekonte. Shumica nga ta mbajnë kufje dhe dëgjojnë muzikë, sipas dëshirës. Kjo është e dobishme – thotë mjeku – sepse i ndihmon ata që më lehtë të menaxhojnë dhimbjet, emocionet, stresin, rregullojnë procesin e frymëmarrjes dhe ruajtjen e energjisë .
Muzika është edhe për frymëzim. Ja një ngjarje e vërtetë, në Radushë të Maqedonisë, më 2001. Një mëngjes në shtabin e një njësie ushtarake u lajmëruan tre djem të rinj vullnetar për t’u kyçur në radhët e ushtrisë. Komandanti i morri në pyetje dhe pos tjerash i pyeti se çka i shtyri t’i bashkëngjiten Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Tre djemtë e rijnë u përgjigjën “Mbrëmë kemi dëgjuar muzikë deri në mëngjes. Atëherë vendosëm që t’ju bashkëngjitemi e ta luftojmë së bashku armikun”.
– Po qka keni dëgju, cilin këngëtar? – pyeti komandanti.
– Po, Ilir Shaqirin, Shkurte Fejzën etj. – u përgjigjën ata.
Dëgjimi i muzikës së duhur dhe në momentin e duhur ka motivuar dhe ka frymëzuar këta të rinj. Muzika në luftë ka pasur rolin e inspirimit, ngritjen e moralit, sensibilizimin e masën dhe sigurisht ta bëj armikun të dridhet nga frika.
Një tjetër formë e motivimit përmes muzikës janë këngët e tifozëve gjatë lojës. Tifozët e kuptojnë shumë mire rolin e tyre, pjesëmarrjen e tyre si pjesë e një trupe apo grupi. Për ata që e kanë të definuar qëllimin e tyre, muzika është organoni apo mjeti për ta arritur qëllimin – fitoren. Sepse, tek njeriu janë të bashkuara nocioni, ekzistenca, shpirti dhe trupi. Në çastin e frymëzimit, të ekstazës, njeriu e ndjen veten si pjesë e një bote më të lartë, bëhet njësoj sikurse edhe pjesa më e vlefshme, më e pafajshme, më e sinqertë e shpirtit të tij.
Gjëja më delikate dhe e mrekullueshme për terapi muzikore është se në fakt çdo përvojë muzikore mund të jetë e përshtatur për të përmbushur një spektër të gjerë të nevojave të njeriut. Muzika ka nxitur, frymëzuar dhe motivuar shumë shkrimtarë, artistë, shkencëtarë etj. Këtë vazhdon ta bëjë muzika edhe sot.