Site icon Telegrafi

Më mirë tullumbace se kondom

Të VMRO-së do të thoshin – “iku kjo, e hëngër kuta”! Të BDI-së do të thoshin – sa mirë qe e penguam pjellshmërinë e kësaj “matrice”! Më mirë tollumbace se sa kondom!

Pas shumë përpjekjeve të ndërkombëtarëve më në fund Gruevski pranoi të takojë z. Ali Ahmetin. Po pse kaq dëshirë e madhe e z. Ahmetit për ta takuar Gruevskin! U takuan që bashkërisht të deklaroheshin se nuk do të lejojnë askënd që ta prishë këtë bashkëjetesë “kaq të mirë” në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Po çka do të ndodhë nëse dikush intenzivisht do të përpiqet për ta prishur këtë bashkëjetesë tepër shumë të brishtë? Mos dhëntë Zoti të jenë shqiptarë sepse do ta pësonin shumë keq! Maqedonasve do t’ia falim, siç ia fali edhe misioni i BE në Maqedoni, të cilës, pas një heshtje të pakuptimtë sakaq i erdhi zëri sapo z. Ahmeti ia rrahu shpinën Gruevskit për ofendimet e pafalshme kundër shqiptarëve. Mbase udhëheqësi i këtij misioni të BE-së arriti që t’i bindë të dy subjektet (VMRO-BDI) që të ulen e të merren veshë që ta zbusin situatën politike, por, cili do të jetë ai ndëshkim kundër Gruevskit dhe strukturave të tij të cilat, pandërprerë po e nëpërkëmbin dhe po e ofendojnë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë!

Marrëveshje për masturbim

Në takimin e kryeministrit maqedonas me liderin e BDI-së qenka konstatuar se “enciklopedia” paska pasur plotë ofendime kundër shqiptarëve dhe se këtë gafë do ta tejkalojë vetë Akademia maqedonase. Kaq punë e lehtë? I tërë problemi do të tejkalohet me një konstatim që do ta pranonte reagimin dhe protestën shqiptare! Po akademikët luftënxitës do të flenë gjumë të rehatshëm! Po cila do të jetë sjellja e Gruevskit i cili me pompozitet e bëri promovimin e kësaj “enciklopedie” që është në harmoni të plotë me pikëpamjet politike të programit kombëtar të VMRO-DPMNE-së! A do të ketë ndëshkues dhe të ndëshkuar në tërë këtë lojë luftënxitëse! Pa dyshim, ndonëse duhej të kishte masa drastike, Ali Ahmeti, i cili na i paskësh stërvitur vetë ushtarët dhe komandantët e UÇK-së, bashkë me eprorët e ish-armatës popullore të Jugosllavisë (mbase aludon në Gëzim Ostrenin që kurrë nuk ka qenë oficer aktiv ushtarak) pasi deklaroi se, me këtë “enciklopedi” maqedonasit e paskan prishën armëpushimin e arritur më 2001-shin, deklaroi edhe këtë “kurrë më nuk do të doja luftë”!

Nuk do mend, të gjithë liderët politikë zgjidhjet e konteksteve të ndryshme do të parapëlqenin t’i zgjidhnin urtë e butë, pa kurrfarë pretendimi për luftë! Po pse e shkaktoi luftën më 2001 Ali Ahmeti?! Për pushtet, pa dyshim! Dhe, sot kur e arriti pushtetin thotë “BDI-ja nuk është tullumbace që të plasë me prekjen e gacës së cigares”! Pra, ofendimet dhe nëpërkëmbja e dinjitetit të kombit shqiptar për Ali Ahmetin janë vetëm një gacë cigare dhe jo një “bombë atomike” të cilën asnjë komb normal në botë nuk do të mund ta duronte. Dreqi ta hajë, më mirë të jesh tullumbace se kondom!
Gruevski e përdor Ali Ahmetin sa herë që do ta fashisë një situatë e cila, qoftë si ligj qoftë si qëndrim politik, gjithnjë shkon në të mirë të Gruevskit dhe të VMRO-së. Kondomët nuk vlejnë për pesë para!

Gruevski dhe Ahmeti në takimin e tyre të fundit vendosën që të masturbojnë – “Enciklopedia maqedonase” të tërhiqet nga shitja! Deri në këtë sekondë askush nuk pranonte se ky pamflet përçmues ishte në shitje! Për t’i zbehur protestat e shqiptarëve që tashmë gati e kishin mbështetur për muri Akademinë maqedonase, dalin këta dy politikanë dhe “e shpëtojnë situatën” – të tërhiqet nga shitja “enciklopedia” ndërsa ribotimi të dalë me përmirësimin e atyre faqeve ku ofendohen shqiptarët! Nëse ky ofendim do të ishte publik nga ndonjë qytetar i rëndomtë ai qind për qind do ta pësonte me një burgim të paktën gjashtë muaj! Por, nuk ka problem kur rrihen shqiptarët nëpër shtëpi nga huliganët maqedonas, kur shahen e ofendohen shqiptarët nga maqedonasit akademikë, sepse ato sharje do të ngelin në maje të kondomit, sipas z. Ahmetit!

Mashtrim i radhës! Të mashtrohet popullata për situatën tepër të rëndë politike, të gënjehet popullata me kinse bashkëjetesën e mrekullueshme shqiptaro-maqedonase si dhe të mashtrohen partizanët e BDI-së se “në momentin kur Aliu u kërcënua me luftë, maqedonasit u dorëzuan”, është një vetëmasturbim politik tepër i rënd i cili absolutisht që e dëmton, mbi të gjitha, çështjen kombëtare.

A do të ndëshkohen akademikët racistë

Dorëzimi i Gruevskit po vinte nga revolta gjithëpopullore shqiptare. Nuk mbeti lider shqiptarë që nuk e dënoi botimin e kësaj “enciklopedie”! Situatën e Gruevskit vërtet që e shpëtoi Ali Ahmeti, pa dyshim, i shantazhuar nga Gruevski! Nuk ka qetësim kombëtar me faktin që do t’u tërheqka nga shitja “enciklopedia”! Marrëveshja e fundit Gruevski-Ahmeti nuk do të konceptohej si mashtrim i radhës vetëm atëherë kur tërë redaksia e kësaj “enciklopedie” do të jepte llogari për këtë krim politik, kur vetë Gruevski do të angazhohej që ta gjejë tekstin e faljes ndaj shqiptarëve dhe kur do t’i ndëshkonte akademikët shovinistë e racistë dhe sidomos kur, në emër të kësaj pendese, tërë tirazhi do të digjej publikisht i përcjellë me një spektakël argëtues të përbashkët shqiptaro-maqedonas.

Kush do të japë llogari për këtë botim prej 2000 ekzemplarësh të kushtuar rreth 10 mijë euro! Natrisht, vetëm për botim, sepse, po të llogariteshin edhe honorarët të cilat ministria e kulturës i ka ndarë për këta shovenë del se projekti në fjalë ka kushtuar edhe nja dy herë më shumë se sa botimi! A do të kërkohet që të kthehen këta honorarë! Si do të arsyetoheshin të gjitha ato shpenzime që u bënë deri në dalje të “enciklopedisë”! Të VMRO-së do të thoshin – “iku kjo, e hëngër kuta”! Të BDI-së do të thoshin – sa mirë qe e penguam pjellshmërinë e kësaj “matrice”! Më mirë tullumbace se sa kondom, o të mjerë!

Shqiptarët pararojë e lashtësisë së tyre

Gruevski dhe Ali Ahmeti qenkan marrë vesh që korrigjimin t’ia lënë Akademisë maqedonase e cila obligohet që t’i korrigjojë ato pak faqe që ofendojnë shqiptarët autoktonë! Është kënaqësi shumë meskine kjo! Shqiptarët nuk guxojnë më të jenë peng i orekseve pataologjike maqedonase. Ndaj kësaj “enciklopedie” do të reagojnë edhe bullgarët, edhe grekët, edhe muslimanët, edhe të gjithë popujt e tjerë fqinjë të Maqedonisë. Kjo “enciklopedi” do të ketë sukses vetëm nëse i tërë materiali u jepet kombeve fqinje dhe të ribotohet tek pas korrigjimit të ekspertëve të tyre përkatës. Nëse edhe me rastin e ribotimit do të ketë reagime nga fqinjësia jonë dhe nga ndërkombëtarët, atëherë do të kemi një izolim total të Maqedonisë për ç’gjë do të pësojnë më së keqi shqiptarët, absolutisht, të pafajshëm.

Dinakëria e Gruevskit dhe e bashkëpunëtorëve të tij, pa dyshim që do të shkojë përtej kësaj brenge racionale! Këta, ribotimin nuk do ta bëjnë nesër, as pasnesër, as vitin e ardhshëm dhe as dekadën e ardhshëm, sepse ribotimi nuk mund t’i nënshtrohet marrëveshjes politike siç nuk mund t’i nënshtrohet as krijimi i redaksisë, fillimisht për t’i “gjuajtur gabimet” dhe pastaj redaksia tjetër për ta përgatitur ribotimin! Z. Ali Ahmeti nuk ka lidhje se si përgatitet një enciklopedi! Nëse mendon se ka këshilltarë të mirë, të gjithë ata e mashtrojnë, sepse, ndryshe nuk do ta hante këtë mashtrim të radhës – tërheqje nga shitja e “enciklopedisë”! Shqiptarëve nuk duhet t’u interesojë heqja nga shitja e enciklopedisë, por, mbi të gjitha, ndëshkimi i përpiluesve të enciklopedisë si dhe vrasja publike e kësaj Enciklopedie! Tërheqjen apo edhe shitjen nuk mund ta kontrollojë askush por, edhe sikur të mos ketë ndonjë vendim ndëshkues, askush nuk do të mund ta pengonte shitjen e kësaj “enciklopedike” që u shndërru në ofendime akademike për mbarë botën! Sepse, pa vjelje masovike nga historia greke, nga historia iliro-shqiptare, pa vjeljen e historisë bullgare, serbe madje edhe pakistaneze, vështirë se do të mund të përgtitet një histori kombëtare e lërë më një enciklopedi nacionale maqedonase! Nuk ka kondom që mund ta pengojë këtë hov maqedonas.

Misioni i BE në Maqedoni nuk guxon të ekzaltohet me faktin që po arrin t’i zbusë partnerët qeveritarë por, mbi të gjitha, duhet t’u dalë në ndihmë maqedonasve duke ua hapur sytë, qoftë edhe me ultimatum apo me shtim të bench mark-ve! Shqiptarët, sikundër të gjithë popujt e hershëm të botës, do të jenë pararoje e lashtësisë si dhe e vlerave kombëtare të pakontestueshme dhe të pamohueshme, i pëlqeu kjo dikujt a jo!

Exit mobile version