Telegrafi

Më lirë se në Prishtinë!

ENIS VELIU

Durrës, Shëngjin – Si asnjëherë më parë, bregdeti shqiptar është stërmbushur me turistë nga Kosova dhe nga vendet e tjera të rajonit. Dhjetëra autobus dhe qindra vetura për çdo ditë kalojnë pikat kufitare me Kosovën dhe Maqedoninë.

Një alternativë tjetër që po shfrytëzohet duke evituar edhe rrugën jo fort të përshtatshme është ajo përmes liqenit të Komanit, ku rreth 200 automobila çdo ditë, nëpërmjet tri linjave të tragetit, kalojnë një pjesë të mirë të rrugës dhe për rreth dy orë e gjysmë shohin një peizazh të bukur të maleve shqiptare.

Një numër prej 2.770 qytetarësh nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri në më pak se 24 orë, kryesisht gjatë natës, vetëm nga pika kufitare në Morinë të Kukësit.

Numri i makinave nga Kosova që kanë hyrë po në 24 orët e fundit është 660.

Në pikën kufitare në Morinë janë hapur gjashtë sportele dhe janë shtuar punonjësit e shërbimit doganor dhe policor, për të shmangur krijimin e radhëve dhe pritjen për t’i kryer veprimet kufitare.

Autoritetet shqiptare, gjithashtu, thonë se kanë vendosur dhe janë duke patrulluar ekipet policore në çdo 300 metra largësi nga njëri-tjetri në rrugën dhe kryesisht në pjesën Morinë-Qafë Shllak, si dhe duke shoqëruar udhëtarët.

Policia është duke u ndihmuar edhe me trupa speciale të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të vendosura në Laç dhe përgjatë pjesës më të madhe të rrugës.

Për dallim nga vitet e tjera, këtë verë, një pjesë e konsiderueshme e pushuesve kosovarë ndalet në plazhin e Shëngjinit, disa të tjerë i dalin në “fund” Shqipërisë duke zgjedhur Vlorën apo Sarandën, por prapë primatin e mban plazhi i Durrësit.

Rruga rreth tetë kilometra nga Lezha për në plazhin e Shëngjinit është dukshëm më e mirë se vitin e kaluar, derisa edhe ofertat nga lokalet hoteliere janë më të shumta në numër.

Edhe në Durrës, kapacitetet janë shtuar disa herë sidomos në plazh dhe çmimet e banimit janë më lirë se çdo herë tjetër.

Çmimet e apartamenteve luksoze sillen prej 15 deri në 30 euro, varësisht prej madhësisë dhe inventarit që ka banesa.

Ndërkaq, “dhomat me qira”, ku janë të vendosur nga 2-3 shtretër, nuk kushtojnë më shumë se 10 euro për një natë, një çmim ky i standardizuar pothuajse tash 5 vjet.

Po ashtu, edhe çmimi i ushqimit në pjesë të konsiderueshme të lokaleve sillet si në Prishtinë, por edhe më lirë.

Një makiato e vogël, e preferuar shumë nga kosovarët, në pjesën dërrmuese të lokaleve kushton vetëm 50 lekë (40 centë), ndërkaq një hamburger nga 100-150 lekë (0.80-1.30 euro).

E veçanta e “verimeve” në Durrës këtë vit janë pushuesit maqedonas, numri i të cilëve është shtuar dukshëm.

Ata shprehen të kënaqur me kushtet e ofruara nga bregdeti shqiptar. Goce, pushues me përkatësi maqedonase, së bashku me gruan dhe vajzën e tij tre vjeçe e kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet verore.

Ai thotë se është i fascinuar me kushtet që ofron sivjet Shqipëria për turistët e huaj.

“Përveç pastërtisë, e cila ka vend për t’u përmirësuar, gjithçka është mirë. Po me pëlqejnë uji, rëra, akomodimi, por edhe menyja në lokale, ngase çmimet janë shumë të lira për një vend bregdetar”.

Për dallim nga qyteti bregdetar, në kryeqytetin shqiptar çmimet janë më të larta. Aty makiaton nuk mund ta gjesh me 50 lekë, por së paku duhet paguar edhe një herë aq. Çmimet në Tiranë, në shumicën e rasteve, janë edhe më të larta sesa në Prishtinë dhe në Durrës.

(Autori është gazetarë i ekonomisë në gazetën “Lajm”)