Telegrafi

Me laser kundër piratëve somalezë

Kompania BAE Systems ka prodhuar laserin i cili nuk është vdekjeprurës, por gjithsesi është efikas kundër piratëve në Somali, nga të cilët sulmet dhe kidnapimet e anijeve komerciale e private janë çdo ditë e më të shpeshta.

Laseri vepron me rreze të ndriçimit të gjelbër të cilat u pamundëson piratëve të zgjedhin kursin e duhur dhe të vënë në shënjestër me armët e tyre.

Pajisja funksionon si ditën ashtu edhe natën, e ajo është duke u testuar aktualisht në Worcestershire, raporton e përditshmja britanike Daily Mail.

“Laserin e përdorim si diell artificial për të mbrojtur anijen tonë nga piratët. Me rritjen e fuqisë së laserit, ashtu ndriçimi i tij i gjelbër dominon më tepër në fushën e pamjes”, ka thënë zëdhënësi i kompanisë BAE Systems, Roy Clarke.

Laser funksionon ashtu që emeton ndriçim të koncentruar të gjelbër i cili shkakton verbërim të përkohshëm. Rezultat i kësaj është çorientimi i plotë i piratëve të cilët nuk janë në gjendje të gjinden dhe të hipin në anije, e as të shënjestrojnë me armët e tyre. Laseri është zhvilluar në kombinim me radarin e frekuencës së lartë i cili mund të zbulojë barkat e vogla, me të cilat zakonisht lundrojnë piratët somalezë. Pasi që radari të zbulojë barkën, laseri automatikisht drejtohet në të.

Barka e cila i afrohet anijes shkurtimisht i tërhiqet vërejtja me laser, e nëse afrohet më shumë, fuqia e laserit rritet në mënyrë që piratët të bëhen të paaftë në mënyrë të efektshme. /Telegrafi/