Site icon Telegrafi

Me kritika pozitive nis seriali “Kombinati”

Në një ambient pune, pothuajse të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, aktorët e serialit më të ri vendor, në mënyrë komike trajtojnë fatin e keq të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Ky serial që do të shfaqet çdo të diel në K-Channel, ka nisur premierën mbrëmë, ndërsa menjëherë ka pasur edhe reagime pozitive sa i përket lojës së artorëve, temës që ata trajtojnë por në veçanti falënderime për kompaninë Kujtesa e cila mblodhi një gamë të çmuar të aktorëve kosovarë për të realizuar një serial vendor dhe shfaqur atë para publikut.

Ky serial, do të ketë disa edicione, ndërsa në edicionin e saj të parë do të ketë 40 episode. Ai është pjesë e produksionit ‘Isstra Creative Factory’, me autor dhe producentë ekzekutivë Shkumbin Istrefi e Mentor Shala, i cili është edhe regjisor, me asistencë regjie të Blerta Basholli, njëherësh edhe bashkëskenariste me aktorin Armond Morina.

Ndër emrat më të veçuar të këtij seriali, janë Armond Morina, i cili luan në rolin e Shaqës, si zëvendësdrejtor i ndërmarrjes, një burrë manipulues, i cili shfrytëzon asetet e firmës për përfitime private.

Yllka Gashi luan në rolin e Shehides, porse bëhet shumë nervoz nëse ndokush e thërret në emër, pasi bukuroshja preferon që ta quajnë Sheki. Ajo është një zyrtare e lartë për fotokopje. Sheki, ka hyrë në punë me mbështetje politike, vjen në punë kur t’i teket dhe nuk i jep llogari askujt. Është thellësisht e preokupuar me dukjen e saj.

Ilir Prapashtica, është shoferi dhe miku i madh i Shaqës. Në rolin e Zeqës, ai luan një tip poltroni i cili ushtron autoritet në ata që i ka nën të dhe i nënshtrohet atyre që kanë fuqi.
Luan Jaha, luan rolin e Fahriut. Një portier i Kombinatit, një fshatar i cili e ka lëshuar banesën e tij në Prishtinë me qira dhe jeton në kioskën e portës. Ky e ka një kushëri të fortë politikisht dhe askush nuk guxon t’ia prishë.

Aktorja e madhe Leze Qena, luan në rolin e Dadës. Një pastruese e Kombinatit, dikur (gjatë kohës së ish-Jugosllavisë) grua e fortë. Problemin kryesor e ka me e “rehatuar” vajzën e saj Tinën. E menaxhon edhe bufenë e Kombinatit, bashkë me vajzën.

Valina Muçolli luan rolin e vajzës së Dadës, pra kjo është Tina një vajzë “darkerkë“ që nuk pajtohet me kriteret e kohës, luftën për ekzistencë, turbofolkun, etj.

Ylber Bardhi, është djali i Masarit (komercialistit të dikurshëm të Kombinatit). Ai luan rolin e Fidanit, dhe vjen në Kombinat, si zakonisht, me të njohshëm, por pasi ka përfunduar studimet në Tiranë. Babai i tij Masari, ia “trashëgon“ vendin e punës, pa dëshirën e tij. Meqenëse është i rritur në mentalitet ku prindi vendos për fatin e tij, ai “duhet“ t’i nënshtrohet.

Në këtë serial, i cili do të transmetohet çdo të diel, luajnë edhe shumë aktorë tjerë, ndërsa herë pas here do të ketë edhe prurje të reja. /Telegrafi/

Exit mobile version