Telegrafi

Me gjithë përparimet, kanceri mbetet sëmundja e dytë me vdekjeprurëse

Pavarësisht nga përparimet në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, kjo sëmundje vazhdon të jetë shkaktari i dytë kryesor i vdekjeve, pas sëmundjeve të zemrës. Vitin e kaluar nga kanceri u prekën 1.5 milionë amerikanë dhe 560 mijë vdiqën nga kjo sëmundje. Këto prirje bëhen të ditura në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë. Numrin e këtij muaji, kjo shoqatë ia kushtoi plotësisht studimeve dhe kërkimeve në fushën e kancerit.

Përparim kundër kancerit është bërë në shumë fronte, thotë Susan Gapstur e shoqatës amerikane kundër kancerit: Shkalla e vdekshmërisë mes burrave ra 21 për qind dhe mes grave 12 për qind që nga viti 1991.

Mes burrave kjo rënie duket më e madhe për arsye të pakësimit të numrit të vdekjeve nga kanceri i mushkërive si rrjedhoje e pakësimit të pirjes së duhanit falë fushatave edukative dhe rritjes së taksave të duhanit, thotë Susan Gaptsur. Ajo shton se edhe diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit, zorrës së trashë, dhe i qafës së mitrës kanë bërë që numri i rasteve të vdekjeve nga kanceri të jetë më i ulët.

Sipas të dhënave, 75 për qind e kancereve zhvillohen a zbulohen mbi moshën 55 vjeç. Për shkak të shtimit të popullsisë dhe shtimit të segmentit të popullatës së të rriturve që do të bëhen më të moshuar, ka të ngjarë që numri i njerëzve me kancer të shtohet nëse nuk merren masa parandaluese. Me një shkallë të tillë prirjeje demografike, ekspertët parashikojnë rrezik nga kanceri për 1 në 2 burra dhe 1 në 3 gra.

Gjithashtu, të moshuarit ka më pak të ngjarë të trajtohen me kimioterapi pas operimit të kancerit në zorrën e trashë, për arsye të efekteve anësore. Megjithatë, efektet anësore të kimioterapisë tek të moshuarit janë më të pakta se sa tek pacientët në moshë më të re. Shpresa të mëdha gjithashtu ka ngjallur një mënyrë e re e trajtimit me rreze të përqendruara të kancerit të mushkërive.

Katherine De-Angelis nga revista e shoqatës amerikane të mjekësisë, thotë se 11 milionë amerikanë janë gjallë sot, falë kësaj terapie. Por kjo nuk do të thotë se lufta me kancerin ka marrë fund. Ekspertët thonë se kanceri, vërtet ka një emër të vetëm, por format e tij janë nga më të ndryshmet. Mënyra se si paraqitet, se si vepron dhe se si duhet të trajtohet, të gjitha këto e bëjnë sëmundjen e kancerit të komplikuar. Prandaj edhe lufta kundër kancerit, thonë ekspertët, kërkon beteja në shumë fronte, mbështetur nga përvojat e fituara gjatë kërkimeve, zbulimeve dhe trajtimeve. /VoA/