Site icon Telegrafi

Me futbollistët nga Kosova drejt Evropës

Shqipëria është bërë “fole” e futbollistëve kosovarë në vitet e fundit. Me dhjetëra futbollistë e kanë lënë Superligën për t’iu bashkuar Superiores, ku kushtet janë gjithsesi më të mira. Njëri prej ekipeve që deri më tani ka transferuar plot tetë lojtarë kosovarë për një vit është Flamurtari. Në fillim të kampionatit, ekipi nga Vlora ka sjellë Yll Hoxhën, Kushtrim Lushtakun, Lorik Maxhunin dhe Debatik Currin. Por, këta nuk janë lojtarët e vetëm të cilët kanë arritur në ekipin “kuqezi”. Në afatin kalimtar të janarit, në Vlorë kanë zbarkuar edhe katër futbollistë kosovarë.

Bëhet fjalë për Ilir Berishën, Dardan Çerkinin, Besnik Krasniqin dhe Mergim Nezirin. Trajneri i Flamurtarit, Zekrija Ramadani, në një prononcim për “Zërin”, thotë se futbollistëve kosovarë mund t’i bashkëngjitet edhe ndonjë lojtar tjetër nga vendi ynë. “Nuk i dihet, ndoshta, po ta gjejmë ndonjë mbrojtës i cili na përshtatet, mund ta transferojmë edhe ndonjë lojtar tjetër nga Kosova”, u shpreh fillimisht Ramadani. Ai ka vetëm fjalë të mira për futbollistët kosovarë, të cilët i konsideron si mjaft profesionistë. “Mund të them se kemi punuar mjaft mirë në fazën e përgatitjeve dhe futbollistët nga Kosova kanë ardhur në gjendje të mirë fizike për t’u përballur me secilin kundërshtar të Superiores”, potencoi Ramadani. “Timonieri” i “kuqezinjve’ thotë se me këtë fond të lojtarëve pret t’i arrijnë objektivat që kanë. “Padyshim që prej lojtarëve nga Kosova pres të kontribuojnë jashtëzakonisht shumë për t’i arritur objektivat që kemi”, përfundoi Ramadani.

Hoxha i gëzuar

Yll Hoxha ishte njëri ndër lojtarët kryesorë të Flamurtarit në vjeshtë. Ish-futbollisti i Kukësit i është gëzuar shumë ardhjes së futbollistëve nga Kosova. “Tani kanë ardhur disa shokë nga Kosova dhe është rritur edhe më shumë konkurrenca në ekip, gjë që është shumë pozitive”, u shpreh Hoxha. Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës thotë se me këtë fond të lojtarëve, pret që ta rrëmbejnë një trofe. “Pas problemeve të cilat kemi pasur në stinorin vjeshtor, mendoj që tani gjërat janë rregulluar dhe tani synim mbetet Kupa, dhe të jemi sa më lart në renditjen tabelore”, nënvizoi Hoxha.

Pritje e ngrohtë

Njëra prej prurjeve të fundit të Flamurtarit, Besnik Krasniqi, thotë se ai me shokë janë pritur ngrohtësisht në Vlorë. “Jemi duke kaluar shumë mirë në një ambient fantastik. Na kanë pritur jashtëzakonisht mirë duke na bërë të ndihemi si në shtëpi”, deklaroi Krasniqi, i cili synon që ekipi të paraqitet sa më mirë në Superiore dhe të triumfojë në Kupë.

Exit mobile version