Telegrafi

Me buxhet të njëjtë, nuk ka zhvillim ekonomik

Qeveria Mustafa, do të qeverisë me buxhetin e ish-Qeverisë Thaçi, ngase edhe viti 2015, do të këtë të njëjtin buxhet sikurse është proceduar nga Ish – Qeveria Thaçi. Opozita e ka kritikuar një gjë të tillë, pasi sipas tyre me buxhetin e njëjtë nuk mund të pritet ndonjë zhvillim në ekonominë e vendit nga Qeveria Mustafa.

Ministri i Finacave Avdullah Hoti, ka thënë se buxhetin që e kanë proceduar në kuvend është i njëjti që është proceduar në kuvend para datës 31 tetor të këtij viti.

“Për vitin 2015, janë paraparë të hyra prej 1 miliard e 576 milionë euro bazuar në vlerësimet makro fiskale për vitin 2015, normalisht pjesa më e madhe e këtyre të hyrave vjen prej doganave prej të hyrave në kufi, ku prapë pjesa më e madhe vjen nga pjesa e TVSH-së, që mblidhet në kufi. Me orientim që në të ardhëm e afër brenda një afati sa më të shpejt që është e mundshme të ndërtojmë kapacitete të Administratës Tatimore, të bëjnë unifikimin e doganave dhe administratës tatimore që të kalojnë mbledhjen e të hyrave brenda vendit. Tek shpenzimet kufiri është 1 miliard e 682 milionë ku vetëm për paga ka një rritje prej 67.7 milionë që reflekton rritjen e pagave të plotë për 25 për qind, për komplet vitin 2015, pra rritja që ka ndodhur në pjesën e parë të këtij viti tash reflektohen në buxhet për gjatë gjithë vitit 2015. Fillohet me sigurimet shëndetësore, ku janë ndarë 10 milionë euro për, transferë sociale gjithashtu janë 136 milionë euro për të reflektuar prapë rritjen prej 25 për qind të pensioneve dhe përfitime të tjera sociale që vijnë nga buxheti i shtetit”, ka thënë ai.
Hoti, deklaroi se ky buxhet nuk i kënaq nevojat e të gjithëve sektorëve , qytetarëve, por siç tha ai, ky është buxheti që ka Kosova.

Ndërkaq, Visar Ymeri, nga Vetëvendosje tha se si do të mund të ketë kjo qeveri qasje tjetër nga ajo e kaluara, kur buxheti është i njëjtë. “Nëse kemi një buxhet që është ai që e ka dorëzuar qeveria e vjetër atëherë edhe për këtë vit, për vitin 2015 nuk do të presim kush e di se fare në ndarjen e parasë publike dhe rrjedhimisht nuk do të presim ndonjë ndikim kush e di se çfarë ne ekonominë e vendit në një situatë kur jemi duke jetuar mbase momentet më të vështira sociale dhe ekonomike në vend, këtu po na thuhet se do të vazhdojnë në të njëjtin avaz nga siç tha ministri dhe kryeministri të cilët gjatë tërë angazhimit të tyre politik të viteve të fundit e kanë kritikuar këtë avaz”, tha ai.

Kurse, Donika Kada, anëtare e komisionit për buxhet dhe financa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se, kryeministri Isa Mustafa, i cili ka kërkuar në vazhdimësi siç tha ajo, të bëhet kryeministër, në mendje e ka pasur të realizojë një program si kryeministër. “Ky projekt ligj është komplet i njëjtë, që është përgatitur nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, nuk ka ndryshim asnjë pikë e asnjë presje. Kjo Qeveri nuk e ka asnjë plan për realizimin e nj programi të vet”, tha ajo

Nga ana tjetër, Jakup Krasniqi, anëtar i komisionit për buxhet dhe financa, nga Nisma për Kosovën, tha se janë disa probleme edhe pse do të dëshironin që ky buxhet ti plotësonte nevojat e të gjithë atyre që tu ofrohet një jetë më e dinjitetshme dhe sigurisht se ky buxhet me 1 miliard e 576 milion qytetarëve të Kosovës e ka vështirë të ju ofrohet një jetë e dinjitetshme e sidomos kategorive që kanë nevojë më së shumti tha ai. “Qytetarëve të Kosovës iu është premtuar me ngulm edhe rritja në vitin 2015 do të jetë prej 25 për qind dhe nuk e di se si do të menaxhohen këta njerëz që kanë pritur vërtetë se pagat duhet të rriten prej 25 për qind kurse ky buxhet kështu siç është nuk mund të ju ofrojë as 1 për qind rritje”, tha Krasniqi.

Ndërsa, Safete Hadergjonaj, anëtare e komisionit për buxhet dhe Financa, nga Partia Demokratike e Kosovës, është munduar të arsyetojë premtimin e dhënë nga kryeministri, duke thënë se rritja prek 25 për qind, është ajo që sipas vendimit të Qeverisë është përfshirë edhe për buxhetin e vitit 2015.

“Do me thënë rritja për 25 për qind sipas vendimit të Qeverisë në prill të këtij viti, është e përfshirë edhe në buxhetin e vitit 2015, do me thënë ashtu siç i kanë marrë në rritje pagat për 25 për qind gjatë kësaj periudhe do të vazhdojnë ti marrin edhe gjatë vitit 2015, e për më tutje mbetet me politikat e kësaj qeverie që të analizohet a ja vlen një rritje apo sa ja vlen. Është në kompetenca të kryeministrit dhe të ministrave që janë në Qeveri”, tha Hadergjonaj. /Telegrafi/