Site icon Telegrafi

Me apo pa formulë

Marrëveshja historike në mes të shqiptarëve dhe serbëve, apo korrigjimi i kufijve janë eufemizmat më të shpeshta të cilët përdoren për të përshkruar ndarjen e Kosovës ose zgjidhjen e mosmarrëveshjeve shqiptaro-serbe. Fillimisht mund të themi se marrëveshjet historike ishin ato që i mundësuan Evropës paqe, progres dhe prosperitet. Shikuar në retrospektivë ato marrëveshje nuk ishin as të lehta e as pa dhimbje. Në shumicën e rasteve ekzistonin dy palë; njëra fituese e tjetra e mposhtur, si dhe dy mundësi; pranimi i status qus, – që për vendet e dala nga lufta ishte pranimi i mjerimit ose pranimi i nevojës për pajtim – dhe bashkëpunimi për të dalë nga një mjerim i tillë.

Aktualisht në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve elementi i fituesit, elementi i nevojës, madje edhe elementi i dy palëve mungon. Kosova dhe Serbia nuk rëndojnë të vetme në peshojën e prodhimit të zgjidhjes, sepse sado që nuk thuhet deklarativisht, palë në këtë peshojë është edhe komuniteti ndërkombëtar. Ato nuk janë në situatë aq të mjerë sociale e ekonomike, ku marrëveshjen historike do ta kishin domosdoshmëri. Për më shumë Kosova dhe Serbia janë të zhveshura nga posedimi i mjeteve dhe hapësirës manovruese për t’u nisur në atë që njihet si ‘go alone’ politik.

Praktikisht kur flasim sot për një marrëveshje mes dy palëve në fjalë, nuk duhet të besojmë se kjo është punë e zgjidhur dhe e përfunduar ose se është e lehtë për tu arritur. Në lidhje me këtë faktet na japin gjendjen që, Beogradi zyrtar e ka shumë të qartë se më, në asnjë formë nuk do të arrijë të fusë nën thundrën e saj Kosovën, sidomos jo me konstalacionet aktuale gjeopolitike të forcave të vendosjes. Po ashtu dihet se Prishtina zyrtare me planin Ahtisaari si kompromis, edhe pse i dhimbshëm më i pranuari, me të drejtë do që ta mbrojë e promovoj shtetësinë e saj, mirëpo është e vetëdijshme se ajo nuk e qeverisë të gjithë hapësirën e saj shtetërore.

Së dyti, logjika është e thjeshtë, arritja e një marrëveshjet në kuadër të kufijve aktual të Serbisë dhe Kosovës, do të ishte shumë më e lehtë, sesa futja në ekuacion e çështjes së ri-definimit të kufijve. Duke parë gjendjen e cituar më lartë, diskutimet për ri-definimim ose shkëmbim territoresh do të ishin recete e mirë jo për marrëveshje historike, për të cilën askush nuk mund të thotë se do të arrihet, por për hapjen e grindjeve të reja deri në konflikt.

Karshi raporteve Kosovë-Serbi kemi dioptrinë vendase, rajonale dhe ndërkombëtare të cilat ofrojnë shpjegime të ndryshme në lidhje me zhvillimin e këtyre raporteve, posaçërisht, por edhe ndaj, siç u tha më lartë eufemizmit – marrëveshje historike shqiptaro-serbe. Në lidhje me këtë mund të themi se është e çuditshme se si Kosova, Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar po i referohen mundësisë së gjetjes së zgjidhjes edhe pse skema e lëvizjeve mbetet e njëjtë.

E skema është kjo:
1. Serbia nuk njeh Kosovën;
2. Kosova së paku në dukje sillet se nuk i duhet njohja e saj;
3. Komuniteti ndërkombëtar pranon se si pika 1. ashtu edhe pika 2. mund të vazhdojnë të mbesin në lojë;
4. Nuk ka sanksione, kufizime, kushtëzime në faktin se Serbia është kokëfortë në pikën 1;
5. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka qasje e as qëndrim të qarte se çfarë duhet të bëjë Kosova që duke lëvizur edhe një gur nga qëndrimi i saj në piken 2. të mund t’i kontribuojë ndryshimit të pikës 1;
6. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sinkronizuar veprimet për të ndodhur ndryshime në piken 1, dhe 2, atyre ju duhet ndryshimi qëndrimeve, qasjeve dhe veprimeve në pikat 3, 4, 5;
7. Se për të ndodhur ndryshimi i pikave 3, 4, 5 së pari duhet një qasje e re në piken 6;
8. Dhe se duhet të kujtojë historinë e freskët se asnjë ndryshim radikal, që mund të cilësohej historikisht me vlerë në marrëdhëniet mes vendeve në Ballkan nuk ka ndodhur si rezultat i kthjelltësisë dhe emancipimit të elitave politike e aq më pak si presion i qytetarëve të vendeve mbi qeveritë e tyre, por si rezultat i jashtëm;
9. Se faktori kohë dhe energji ka vlerë për qeveritë, ka vlerë për qytetarët që i krijojnë e i mbajnë ato – pra të mos humbet energji në lëvizjet e njëjta e të prodhojnë efekte të njëjta;
10. Se në peshojën e zgjidhjeve vështirë të balancohen pikat 1, 2, 3, 4, 5., sepse në fakt ndryshimi i natyrës (madje i vetëm njërës) së njërës nga pikata mund të prodhojë një skeme të re e cila do të mund të ofronte një zgjidhje;
11. Faktori ndërkombëtar brenda vetës mund të kërkojë pajtim dhe sinkronizim për një veprim të caktuar, p.sh. garantimi i sundimit të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës – pra ta bëjë realitet një herë e mirë një qëndrim minimalist;
12. Në mungesë të gjetjes së balancit në skemën aktuale, dhe në pa mundësi të definimit të një skeme të re që mundëson zgjidhje, t’i mundësojë Kosovës ushtrim efektiv të sovranitetit në gjithë territorin e saj, dhe të pushojë kërkimin e zgjidhjes për një kohë;
13. Të kushtëzojë hyrjen e Serbisë dhe Kosovës në BE me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të cilësdo natyrë – diçka që po merr formë deri diku;
14. Ta shpallë projektin e paqësimit të Ballkanit të përfunduar tani, dhe të angazhohet në mbajtjen e përhershme të forcave të NATO-s në Kosovë si garant për paqe dhe siguri.

Sa i përket kësaj, në Serbi kemi dy taborre të analistëve politikë që interpretojnë qasjen e Beogradit zyrtar karshi Kosovës. Disa analist atje, por edhe liderë akuzojnë garniturën aktuale politike në Beograd që për shkak të interesave të tyre për të mbijetuar në pushtet, nuk ua thonë të vërtetën qytetarëve të tyre dhe manipulojnë me iluzionet se Serbia po e mbron Kosovën. E që është fakt se mbi 60 për qind e banorëve të Republikës së Serbisë e kuptojnë për të mos thënë e pranojnë, se Republika e Kosovës është shtet dhe janë të vetëdijshëm se Beogradi zyrtar do tua thotë troç një ditë. Realisht ajo po pret momentin e duhur për t’ia bërë të ditur opinionit në Serbi qasjen e saj ndaj Kosovës. Mirëpo gjithmonë duke synuar pozicionim më të mirë politikë rajonale, evropiane dhe botë, është në pritje të momentit më të volitshëm për të, sikurse me rastin e arrestimit të kriminelëve serb, Kradzic, Mladic dhe Hadzic, kur mori lëvdata dhe mundësi më të shpejta për të arritur deri të liberalizimi i vizave apo edhe te kandidatura për anëtarësim në BE.

 

Në anën tjetër ka të tillë që besojnë se garnitura politika do ta ndryshojë retoriken dhe qëndrimin e saj “kurrë nuk do ta njohim shtetin e Kosovës”, por duke tentuar hapjen e ri-aranzhmaneve që për ne në Kosovë, në thelb kanë pengimin e konsolidimit dhe funksionalizimit të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, ndërsa për opinionin publik në Serbi, deklarativisht angazhimin i njohur konsiderohet si angazhim në gjetjen e zgjidhjes për këtë problem. Këta të fundit besojnë se edhe BE edhe SHBA do të gjejnë një modus vivendi për t’i shkuar perit për mes.

Qëndrimet e deri më sotme të lojtarëve kryesor dhe më me ndikim në botë – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Turqia – në mënyrë eksplicite ishin kundër ndarjes së Kosovës apo të një rishkrimit të kufijve. Që le të kuptohet se veriu i Kosovës do të ngelet nën vijën kufitare të Republikës së Kosovës. Vizita e kancelarës gjermane Merkel në Serbi i kishte venë pikën strategjisë së errët të Beogradit zyrtar, se edhe pas tri viteve të pavarësisë, për veriun e Kosovës do të kultivohet iluzioni që status quoja në një moment do të bëhet e pranueshme dhe si e mirëqenë për komunitetin ndërkombëtar. Merkel i bëri thirrje Beogradit zyrtar që të shuaj institucionet paralele të instaluara në Kosovë, por si për çudi kërkesa e saj nuk e ndryshojë qëndrimin e Beogradit zyrtar e as të vështrueseve ndërkombëtar të cilët i mirëkuptojnë argumentet e Serbisë, pra duke mos i ikur temës për ndonjë formulë e cila do të zgjidhte problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

Kombinatorika tradicionale e politikave agresive të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës dhe tentimi i Prishtinës zyrtare për të sjellë rendin ligjor të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj, janë garant i mosarritjes së ndonjë formulimi të pranuar nga të dyja palët. Pavarësisht këtij fakti i cili prodhon një dozë të lartë të pa parashikueshmëris për të arritur deri te një pozicion kompatibil për të dyja palët, nuk duhet hedhur mundësinë për ndonjë formulim invizibël, por i cili do të ishte funksional për marrëveshje mes palëve. I padukshëm nga fakti se nuk do të prekej pakoja mbi të cilën e ka filluar jetën shteti i Kosovës. Planit të presidentit Ahtisaari nuk do t’i shtohej asnjë plus, asnjë minus, por një formulim zgjidhjeje i cili do të pranohej impenjativisht nga të dyja palët.

Formulimet dhe modelet e ofruara nga Beogradi zyrtar prej gjatë kohës së standardeve para statusit për Kosovën, duke filluar nga “më shumë se autonomi, e më pak se pavarësi” e deri më sot nuk kanë pushuar asnjëherë. Me kërkesën e fundit për mundësin e ndarjes së Kosovës të njërit nga partnerët e koalicionit të qeverise serbe, Beogradi zyrtar hapur ka testuar opinionin brenda e jashtë për një formulim i cili gjoja do të sillte një marrëveshje historike shqiptaro-serbe. Ky propozim jo që do të ishte i rrezikshëm, e që faktikisht është vetëm një provokim i së mundshmes, por do të prodhonte rregullin ndërkombëtar të parimit të ndryshimit të kufijve. Faktikisht ndryshimi i kufijve tani për tani është i parealizueshëm, ku le të kuptohet se Prishtina zyrtare formulën e rishkrimit të kufijve të saj duhet ta largojë nga mundësia e realizimit. Ndërsa në modalitetet si ato ku do të kërkohej një pozicion edhe më i fortë i serbëve në veri brenda pakos së Ahtisaarit, e që si kundër masë Republika e Serbisë do ta pranoj Republikën e Kosovës, ose ku njohja e pavarësisë nga ana e Serbisë dhe funksionalizimi i Kosovës do te behej jo përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por përmes një marrëveshjeje të Serbisë, Kosovës dhe BE-së me bekimin e një rezolute të re nga ana OKB-së, Prishtina zyrtare duhet të jetë shumë vigjilente.

Exit mobile version