Telegrafi

Me 28 prill dihet fituesi për Aeroportin

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, njëherësh edhe anëtar i komitetit ndërministror për koncesionimin e ANP-së, tha se me 28 prill përmbyllet procesi i garimit të tri kompanive.

“Me këtë datë ne do të dimë se cila nga kompanitë do të jetë fituese dhe natyrisht pjesa e përfundimit të kontratës do të merr sa kohë por ajo është pjesë e procedurave të rregullta”, tha Shala.

Udhëheqësi i njësisë për Partneritetin Publiko Privat(PPP)Lorik Fejzullahu, tha se procesi për Partneritetin Publiko Privat te ANP-ës është në fazën përfundimtare të implementimit.

“Me 28 Prill pritet t’i pranojmë ofertat nga konsorciumet e kualifikuara dhe me një afat sa më të shkurt mund ta deklarojmë ofertuesin e preferuar, i cili do të përzgjidhet në bazë të kritereve të parapara në kërkesën për propozim”. Fejzullahu tregon se thirrjes për prezantimin e kredencialeve për kualifikim iu kanë përgjigjur katër konsorciume dhe në bazë të kritereve të specifikuara në kërkesën për kualifikim janë kualifikuar tri konsorciume.

Ndërkaq, ai thotë se procesi është duke u zhvilluar me një dinamizëm të mirë dhe pa asnjë problem. “Duke pasur parasysh se projekti për PPP të ANP-së është projekti i parë i kësaj forme në Republikën e Kosovës, deri më tani procesi është zhvilluar në bazë të afateve kohore të parapara nga Komiteti Drejtues Ndërministror”, tha ai.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, vlerëson se Qeveria është duke u ngutur me privatizimin bizneseve më të suksesshme të vendit. “Është e pakuptimtë e tërë kjo nguti dhe këto procese po i përcjellin disa paqartësi të mëdha.

Së pari komunikimi me partneret është shumë i dobët dhe mungon transparenca, ajo që e dëmton procesin nw përgjithësi, dhe mendoj se i tërë procesi i koncesionimit kryesisht po bazohet me rekomandimet e këshilltarëve të transaksionit”.

Sadiku thotë se nga pala kosovare mungon një qasje aktive e politikave, procedurave dhe metodave që lidhen me përdorimin e mjeteve që do të fitohen nga koncesionimi. Kryetarja e komisionit për ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmani, tha se nuk është momenti i duhur që ky proces të ndodh në këtë kohë.

“Është kjo kohë kur e gjithë Evropa gjendet në një krizë financiare dhe recesioni është me të madhe , ndërsa qeveria i ka vetëm edhe 10 muaj qeverisje e të hyhet me koncesionimin e ANP-së është shumë e pakapshme për realitetin sepse nuk e di edhe çka do të arrijnë me këtë”tha ai. /Lajm/