Gjithsesi, ky lajm ende nuk është zyrtarizuar, informacionet që vijnë brenda shtëpisë së futbollit bëjnë të ditur se ky vendim tashmë është marrë dhe se ai do të konfirmohet më 13 janar të këtij viti, kur delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës në krye me presidentin e saj Fadil Vokrri më 10 janar do të ketë një takim në selinë e FIFA-së, me përfaqësuesit e futbollit të Serbisë dhe FIFA-së. Ky takim pritet të sqarojë gjithçka lidhur me lejen për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën.
Më herët mediumet serbe kanë raportuar se tashmë vendimi është marrë dhe vetëm pritet të bëhet publik, në bazë të të cilit Kosovës do t’i lejohen ndeshjet miqësore, por pa simbole shtetërore, vetëm nën flamurin e FIFA-s. Zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha ka thënë se 13 janari do të jetë datë e rëndësishme për futbollin kosovar dhe se ky asociacion është optimist se Kosovës do t’i jepet drita jeshile për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.
”Ne ende nuk kemi ndonjë informatë zyrtare se Përfaqësuesja e Kosovës e ka marrë lejen për zhvillimin e ndeshjeve miqësore. E presim 13 janarin dhe pastaj mund të flasim qartazi”, tha Berisha. Zëdhënësi i FFK-ës e pranon se kanë marrë lajme të mira, por ato nuk janë zyrtare.
“Sigurisht se ne marrim informata nga brenda FIFA-s dhe na është thënë se 13 janari do të sjellë vendime pozitive, por pa ndodhur kjo nuk mund të themi asgjë”, shtoi Berisha, duke sqaruar se paraprakisht, para 13 janarit delegacioni i FFK-së do të udhëtojë në Cyrih.
“Më 10 janar do të zhvillohet një takim trepalësh. Ajo që dua të sqaroj për opinionin është se ne asnjëherë nuk e kemi pyetur ose kërkuar lejë nga Serbia për të luajtur. Ne i jemi drejtuar FIFA-s dhe me Serbinë nuk kemi asgjë”, vlerësoi Berisha, për të cilin brengë e madhe mbetet infrastruktura.
Infrastruktura do të jetë problemi më i madh. Investimet nëpër stadiume janë shumë të vogla. E shihni edhe pas sa kohësh dy komunat, ajo e Prishtinës dhe Mitrovicës, nuk ishin në gjendje t’i vendosin në stadium pajisjet që erdhën si donacion nga Suedia.
Pra infrastruktura është e dobët dhe padyshim problem do të mbetet zhvillimi i ndeshjeve pas pranimit të përfaqësueses së Kosovës”, përfundoi Berisha.
Në anën tjetër trajneri dhe njëkohësisht menaxher i futbollit, Ismet Munishi, lajmin për pranimin e Kosovës e cilëson si më të mirin të pasluftës, por sipas tij pranimi na jep obligime shumë më të mëdha se që kemi pasur deri më tashti.
“Tash shteti duhet të reagojë dhe urgjentisht të nisë punimet në infrastrukturë. Ne nuk kemi një stadium për një ndeshje ndërkombëtare, andaj duhet menjëherë të nisin punimet dhe mos të zhgënjejmë që në start.
Një ndeshje ndoshta mund të luajmë, por pas asaj ndeshje inspektorët e FIFA-s më asnjë lojë nuk do të na lejojnë të luajmë më këtu”, tha Munishi, duke bërë me dije se pranimi i futbollit hap shumë mundësi.
“Zhvillimi i ndeshjeve miqësore është një mundësi më e madhe për futbollistët vendorë, të cilët kërkoj të transferohen jashtë.
Edhe tash menaxherët e huaj vëzhgojnë lojtarët tanë, por atëherë do të jetë ndryshe. Atëherë klubet do t’i shikojnë vetë lojtarët dhe ofertat do të vijnë drejtpërdrejt nga klubet, çka është një rast shumë më i madh për lojtarin, por edhe për klubet kosovare që të përfitojnë nga transferet”, tha Munishi. /Zëri/Telegrafi/