Telegrafi

Me 100 euro blihet punimi i diplomës për bachelor

Dikush ka vendosur në shtylla elektrike një njoftim, në të cilin thuhet: punojmë tema diploma, punime seminarike, përmirësimin dhe rregullimin e temave (me standardet e shkrimit) si dhe përgatitjet në Powerpoint. Madje, personi që ka bërë këtë njoftim ka shkruar edhe numrin e telefonit që t’i lajmërohen myshterinjtë e mundshëm, transmeton KTV.

KTV ka kontaktuar me personin në fjalë dhe ka mësuar çmimet dhe detajet të tjera lidhur me këtë çështje.

Zyrtarë të Universitetit të Prishtinës thonë se kjo gjë është befasuese për ta dhe se kjo dukuri mund të marrë përmasa shqetësuese.

Prodekani në Universitetin e Prishtinës, Zeqir Veselaj, ka thënë se kjo është një vjedhje e pronës intelektuale dhe se mentorët duhet të kenë më shumë kujdes se cilat tema ua caktojnë studentëve.

Kurse, profesori Milazim Krasniqi ka thënë se kjo është një dukuri që e rrezikon shumë ndershmërinë akademike, sepse edhe plagjiatura edhe gjëra të tilla janë të ndaluara edhe me statut të UP-së.

Kjo dukuri, sipas profesorëve, nuk është vetëm në Kosovë. Sipas tyre, kjo dukuri është shfaqur në gjithë rajonin. /Telegrafi/