Weston McKennie ka përshkruar transferimin te Juventusi si një ëndërr e bërë realitet dhe u zotua se do të japë gjithçka me fanellën e klubit italian.
Mesfushori përfundoi transferimin e tij nga Schalke 04 mbrëmë, si huazim për 4.5 milionë euro me një mundësi blerje për 18.5 milionë euro dhe 7 milionë euro bonuse të lidhura me performancën.
Pas transferimit, McKennie ka folur për herë të parë si lojtari i Zonjës së Vjetër, duke thënë se është i emocionuar dhe kjo është një ëndërr e bërë realitet.
“Jam shumë i emocionuar. Ju rriteni duke parë këta lojtarë, duke i idolizuar ata dhe duke luajtur me ta në video-lojëra dhe tani ata janë bashkëlojtarët tuaj, kështu që është padyshim një ëndërr e realizuar”, ka thënë fillimisht McKennie për Juventus TV.
“Kur mendoni për fjalën Juventus, ju mendoni se është historike dhe kampione e Italisë gjatë gjithë kohës”.
McKennie është i amerikani i parë që ka veshur fanellën e Bianconerëve dhe një nga shumë pak që ka luajtur në Serie A në përgjithësi.
“Sigurisht, të jesh i pari i çdo gjëje është diçka për të cilën krenohesh. Është një arritje. Kam dëgjuar pak nga Michael Bradley që është një ligë e ashpër, kështu që jam patjetër i ngazëllyer që futem në të”.
“Kam nënshkruar në ditëlindjen time dhe tani po filloj një udhëtim krejt të ri, kështu që është një dhuratë e madhe”.
“Do të presin 100 për qind nga unë çdo ndeshje, padyshim. Është gjithçka ose asgjë për mua”, përfundoi amerikani. /Telegrafi/