Telegrafi

McCartney si frontmen i Nirvanas

Rokeri legjendar i Beatles pritet që të performojë me anëtarët që i kanë mbijetuar kohës në “Nirvana”, si Dave Grohl dhe Krist Novoselic, për një koncert që pritet të mbahet gjatë në mend.

Paraqitja e McCartneyt vjen pasi ai e telefonoi Dave Grohlin për të bërë muzikë për qejf në studio, para se të pajtoheshin për një performancë, ku pos Grohl do të ishin edhe Krist Novoselic dhe Pat Smear, e të cilët ishin pjesë e “Nirvana” deri në vitin 1994, kur dhe legjendari Kurt Cobain bëri vetëvrasje.

“Vërtet nuk e kam ditur se kush janë ata. Ata thonë se sa mirë është që jemi përsëri së bashku dhe unë mbes i habitur. Dhe unë edhe i pyes me habi – djem, për një kohë aq të gjatë nuk keni qenë bashkë në skenë?”.

“Dhe, dikush papritmas ma pëshpëriti në vesh, ‘kjo është Nirvana’. Nuk kam mundur të besoj”, ka deklaruar McCartney.

Ende nuk është konfirmuar nëse Paul bashk me anëtarët tjerë të Nirvanas do të performojnë këngën ikonike të bendit, “Smells Like Teen Spirit”, por besohet se do të promovojnë një këngë të re që e kanë bërë bashkë.

Në këtë koncert Nirvana do të shoqërohet nga “Rolling Stones, “The Who”, Bruse Springsteen, Kanye West, Alicia Keys dhe Roger Waters.

Me paratë e grumbulluara nga ky koncert do të ndihmohen viktimat e prekura nga uragani ‘Sandy’ në SHBA dhe Karaibe. /Telegrafi/