Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senatin e Shteteve të Bashkuara, John McCain, tha se do të mbajë peng kandidatët për postet e Departamentit të Mbrojtjes, të nominuar nga Trump, derisa Pentagoni të ofrojë më shumë informata mbi strategjinë e re të luftës në Afganistan.
Duke folur për gazetarët në Capitol Hill, McCain tha se komiteti i tij ka nevojë për detaje të strategjisë në mënyrë që të sigurojë forcat e armatosura të SHBA-së në Afganistan me trajnime dhe pajisje të përshtatshme.
McCain shprehu keqardhje siç tha ai për mungesën e komunikimit me Sekretarin e Mbrojtjes, Jim Mattis.
“Kam pasur marrëdhënie më të mira pune me Sekretarin e Mbrojtjes të Presidentit Barack Obama, Ash Carter, sesa që kam me një mik të vjetër prej 20 vjetësh”, tha McCain për Mattis.
Megjithatë “ne nuk do të rrimë pa e pasur një pamje të qartë të asaj që po ndodh”, ka shtuar McCain.
Në ueb faqen e Departamentit të Drejtësisë, janë paraqitur 17 nominimet që kanë mbetur peng nga bllokada e McCainit. /Rel/