Një vajzë e re ishte në mesin e 27 personave që u mbytën në ujërat e ftohta të ashpra në brigjet e Francës të mërkurën, pasi u përmbys një varkë që transportonte emigrantë për në Britani, në një nga incidentet më vdekjeprurëse në Kanalin Anglez në vitet e fundit.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin tha se pesë gra ishin në mesin e të vdekurve, dy persona ishin shpëtuar dhe një është ende i zhdukur.
Në fillim mendohej se kishin vdekur 31 persona, por ministri e rishikoi këtë numër duke thënë se ishin në fakt 27 viktima.
Darmanin tha se janë arrestuar katër trafikantë të dyshuar që akuzohen se ishin të lidhur drejtpërdrejt me vendkalimin.
Projekti për emigrantët e zhdukur i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin tha se tragjedia ishte me numrin më të madh të viktimave në Kanal që kur ata filluan të mbledhin të dhëna në vitin 2014.
Rruga e ngushtë ujore midis Britanisë dhe Francës është një nga korsitë më të ngarkuara të anijeve në botë. /Telegrafi/