“Kisha mundur të luaja ende, por dëshira ime është që t’i shoh të rinjtë duke përparuar. Ndikuan edhe faktorë të tjerë që më shtynë të largohem”, thotë Ramushi. Ai zgjodhi që pasimet e fundit t’i bënte në ndeshjen mes skuadrave, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës Drita – Gjilani. Së fundi luajti për Dritën, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tashmë ish-sulmuesi i Dritës, Gjilanit dhe i disa skuadrave të tjera të Kosovës, thotë se vendimi për t’i dhënë fund karrierës ishte i vështirë. Për Ramushin ishte organizuar edhe një ceremoni përshëndetëse në derbin Gjilani – Drita, e zhvilluar të dielën e kaluar në praninë e rreth 5.000 shikuesve.
Rivaliteti mes tifozërive, “Intelektualët” e Dritës dhe “Skifterat” e Gjilanit, si asnjëherë më parë ishte i butë. Të dy tifozëritë mundoheshin të nderonin atë, si një pjesë të çmueshme të skuadrës së tyre.
Nga ana e “Intelektualëve” pati duartrokitje, kurse një pjesë e tifozëve të skuadrës së Gjilanit “Skifterat”, pati thirrje në adresë të tij, duke ia kujtuar Ramushit se u përket më shumë atyre.