Site icon Telegrafi

Mbyllja e komunave paralele të Serbisë, ambasada amerikane: Këto veprime dëmtojnë marrëdhëniet dhe aspiratat e Kosovës

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla njoftoi të mërkurën se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore të saj në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.

E kritika ndaj këtyre veprimeve të institucioneve të Kosovës, ka pasur ambasada amerikane.

Në një përgjigje për Telegrafin, nga ambasada kanë thënë se veprimet të tilla ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve të vendit.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia, ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës amerikane.

Lexo po ashtu Kosova mbyll komunat dhe institucionet paralele serbe në dhjetë komuna

Më tej në përgjigje është thënë se këto veprime dobësojnë besimin dhe kufizojnë të ndihmën e SHBA-ve për të ardhmen.

“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën”,  ka deklaruar një zëdhënës i ambasadës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi, se nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën ato, pasi, siç tha, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.

Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

Lexo po ashtu Bastisjet në disa lokacione për struktura paralele, Prokuroria Themelore e Prishtinës: Nuk kemi marr kërkesë zyrtare për bastisje

“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.

Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”. /Telegrafi/

Exit mobile version