Site icon Telegrafi

Mbyllja e institucioneve paralele serbe, reagojnë Italia dhe Franca

Franca dhe Italia kanë shprehur shqetësim për shkak të mbylljes së strukturave paralele nga institucionet e Kosovës në disa rajone të mërkurën.

Në një reagim të Ambasadës franceze në Kosovë thuhet se pavarësisht se këto struktura operojnë pa autorizim zyrtar nga autoritetet kompetente, ato ofrojnë shërbime të rëndësishme për serbët e Kosovës.

“Mbyllja e tyre mund të ketë ndikim në jetët e përditshme të qytetarëve. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, rikujtojmë se kjo çështje e strukturave ‘paralele’ duhet të adresohet brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagimin e ambasadës përmendet edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe si mundësi për shërbime ndaj serbëve.

“Zbatimi i Asociacionit, mbi bazat e draft-statutit të përgatitur nga BE-ja, do të mundësojë vazhdimin e shërbimeve të caktuara për serbët e Kosovës duke respektuar plotësisht kornizën kushtetuese të Kosovës”.

Po ashtu, Franca ka shprehur “keqardhje që kjo valë e mbylljeve po ndodh gjatë fushatës zgjedhore”.

Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë e ka mbështetur deklaratën e Bashkimit Evropian për mbylljen e strukturave paralele sot ku e ka quajtur, këtë një veprim shqetësues.

Në një postim në platformën X, ambasada kanë shpërndarë deklaratën në fjalë të BE-së, ku thuhet: “BE-ja deklaron se këto veprime janë në kundërshtim me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së”.

“Italia mbështet plotësisht deklaratën e BE-së më poshtë”, thuhet në postimin e ambasadës së Italisë.

Edhe Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Gjermania e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe.

Mbyllja e institucioneve serbe në 10 komuna të mërkurën – Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj – vjen disa ditë pasi policia mbylli më 8 janar Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranje”.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version