Site icon Telegrafi

Mbylli punimet konferenca shkencore për komunikimet dhe mediat

Problemet e komunikimit dhe të mediave në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, janë të ngjashme me ato të Italisë dhe vendeve të BE-së dhe të gjithë bashkë përballen me determinizmin teknologjik ku kapitali social dhe vlerat në shoqëri nuk krijohen në mediat sociale.

Këto ishin disa nga përfundimet e konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare mbi komunikimet  mediat e cila i mbylli punimet sot në Prishtinë, organizuar nga Kolegji AAB, Universiteti italian të Peruxhas, Universiteti i Tiranës, Elbasanit, School of Journalism and Public Relation të Shkupit, Universiteti Bedër dhe Institutit maqedonas të Studimeve të Komunikimit.

Profesori italian, Rolando Marini, theksoi në konkluzionet e konferencës se Kosova, ashtu si edhe vendet e tjera pjesëmarrëse në këtë konferencë, i kanë të njëjta probleme me të cilat përballet edhe perëndimi, ndërsa shqetësuese për të gjithë mbetet se si të fuqizohet shoqërizimi dhe bashkëndarja e vlerave në komunikimet online dhe mediat sociale.

Për profesoreshën maqedonase, Snezhana Trajkovska, problemi në mediat ballkanike, vazhdon të mbetet përfshirja e madhe e politikës në industrinë mediatike dhe kontrolli që ushtrohet nëpërmjet njerëzve të infiltruar në media dhe nëpërmjet financimeve të ndryshme që ushtron politika mbi mediat. Kjo bën, tha ajo, që publiku sot të mos dallojë shpesh informacionin e vërtetë nga informacioni i rrejshëm, i manipuluar apo propaganda.

Profesori nga Tirana, Ramadan Çipuri, tha në përfundimet e konferencës se ka ardhur koha që Shqipëria në bashkëpunim me Kosovën të punojnë në hartimin e një teksti edukues mediatik dhe kjo të bëhet pjesë e kurrikulave të arsimit parauniversitar dhe, siç u shpreh ai, këto kanë qenë edhe konkluzionet e konferencës së vitit të kaluar të studiuesve nga Universiteti i Tiranës, Kolegjit AAB dhe Universitetit “Bedër”.

Sipas një njoftimi të AAB-së, në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare të titulluar “Historia e medias dhe transformimet mediatike” pati 40 prezantime të studimeve shkencore nga 44 studiues të cilët vinin nga Kosova, Italia, Maqedonia, Shqipëria, Maqedonia, Norvegjia dhe Gjermania. Prej tyre, ishin 25 doktorë shkencash të komunikimeve dhe mediave, 7 profesorë të sociologjisë së komunikimeve dhe të tjerët ishin doktorantë të komunikimeve dhe gazetarë.

Temat që u trajtuan në këtë konferencë kishin të bëjnë me metamorfozën e radios, transformimin e televizionit, transformimi i predikimti fetar sot nga mediat tradicionale në mediat e reja, a-kulturimi në mediatik, e vërteta dhe post e vërteta në mediat e sotme, evoluimi i gjuhës së urrejtjes online etj. /Telegrami/

Exit mobile version