Theranda u zhyt në magjinë e Karnavalit “Golden Eagle”, një manifestim i cili tradicionalisht organizohet çdo vit në këtë qytet.
Përgjatë tri ditëve të këtij menifestimi, qyteti u mbush me ngjyra, energji dhe freski, duke tërhequr banorë dhe vizitorë nga e gjithë Kosova.
Karnavali “Golden Eagle” është kthyer në një traditë të dashur për banorët e Suharekës. Gjithçka filloi me një paradë të bukur që përshkoi rrugët kryesore të qytetit, ku pjesëmarrësit e veshur me kostume të larmishme dhe ngjyra të gjalla, krijuan një spektakël të vërtetë për sytë e të pranishmëve. Nga fëmijët e vegjël e deri te të moshuarit, të gjithë gjetën diçka për të shijuar në këtë ngjarje të veçantë.
Një nga momentet më kulminante të karnavalit ishte pa dyshim koncertet e mbrëmjes. Skena e madhe ishte e mbushur me emra të njohur të muzikës shqiptare, të cilët performuan për publikun e shumtë që kishte ardhur për të shijuar këtë festë të jashtëzakonshme.
Dafina Zeqiri, Tayna, Elgit Doda, Xhensila, Lumi B e Luiz Ejlli, ishin vetëm disa nga emrat që performuan në skenën e madhe gjatë tri netëve.
Karnavali “Golden Eagle” jo vetëm që sjellë argëtim dhe ngjyra, por gjithashtu forcon ndjenjën e komunitetit dhe solidaritetin mes qytetarëve. Gjithçka, nga dekorimet festive në rrugët e Therandës deri te skena madhështore e koncerteve, krijuan një atmosferë të veçantë që tërhoqi mijëra vizitorë.
Festivali u mbyll me fishekzjarre dhe brohoritje të publikut, duke premtuar një kthim edhe më të madh dhe më të ngjyrosur vitin e ardhshëm. Karnavali “Golden Eagle” në Therandë është një ngjarje që nuk duhet humbur, një festë e vërtetë e kulturës dhe muzikës shqiptare. /Telegrafi/