Është mbyllur pas rreth 1 orë e gjysmë protesta e organizuar nga Rithemelimi përballë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit.
Protesta ishte e qetë dhe u mbyll me fjalën e Berishës, ku ftoi simpatizantët t’i bashkohen protestave që do të mbahen çdo të enjte përballë ambienteve të Kuvendit.
Gjithashtu Berisha ftoi demokratët t’i bashkohen protestës që do të mbahet më datë 27 dhjetor përballë Gjykatës së Lartë.
Datë kjo e cila përkon me seancën ku pritet të mbahet gjyqi në Gjykatën e Lartë për vulën e Partisë Demokratike.
“Më 27 dhjetor çdo demokratë dhe demokrate përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do të qëndrojmë dhe ne do të fitojmë.
E enjtja që vjen të gjithë para parlamentit monist, jo vetëm këtë të enjte por çdo të enjte”, tha Berisha përpara se të largohej.
Ndërkohë që në Këshillin e Mandateve po vijon seanca për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën.
Berisha zgjodhi të mos ishte vetë prezent, por të paraqiste mbrojtjen përmes avokatëve./euronewsalbania/