Prishtina ka triumfuar ndaj Trepçës’89t në kuadër të javës së 22-të në Superligën e Kosovës me rezultat 2-1.
Kryeqytetasit e filluan më mirë takimin, duke rrezikuar qysh në minutën e pestë të takimit me anë të Qëndrim Zybës, por goditja e tij përfundoi jashtë.
Trepça ’89 filloi më pas të këndellej dhe doli përpara me Happy Darwish (14’), mirëpo edhe goditja e tij përfundoi jashtë.
Prishtina kishte edhe dy shanse të arta me anë të Zybës dhe Leutrim Kryeziut, mirëpo nuk e befasuan portierin Ardit Hyseni.
Pjesa e dytë kishte një ritëm më të lartë, me bardhekaltrit që sërish dominuan.
Momenti më vendimtar i ndeshjes për Prishtinën erdhi në minutën e 51-të kur Lumbardh Dellova ishte i vetmuar para portës vendase dhe shënoi me lehtësi.
Nga protestat e shumta nga stafi i Trepçës ’89 në minutat e mbetur, me kartonë të verdhë u ndëshkuan kryetrajneri Shpëtim Idrizi dhe ndihmësi i tij Fitim Llapashtica.
Mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe ia arritën të golin e barazimit me anë të Arbnor Mujës në minutën e 90+1.
Mirëpo, kur Trepça ’89 mendoi se kishte fituar një pikë, djelmoshat e Zekirija Ramadani e rikthyen epërsinë, pasi shënuan me anë të Leonit Abazit (90+6).
Pas javës së 22-të, Prishtina ka kaluar në vendin e dytë me 44 pikë, derisa Trepça ’89 gjendet në pozitën e pestë me 28 sosh. /Telegrafi/