Gjilani dhe Llapi i kanë ndarë pikët në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës, pasi ndeshja përfundoi 2-2
Ishin vendasit, ata që rrezikuan portën kundërshtare me anë të Muamer Svrakas në minutën e pestë, por goditja e tij me kokë ishte e pasaktë.
Llapjanët më pas filluan të këndellen dhe krijuan një rast mjaftë serioz me anë të Valmir Veliut që u asistua nga Edison Kqiku, mirëpo goditja e tij përfundoi afër shtyllës pingule.
Mysafirët vazhduan me aksione të bukura dhe në minutën e 15-të arritën të shënonin golin e parë me anë të Valmi Veliut, që përfitoi nga një gabim i Kqikut.
Por, Gjilani nuk u demoralizua nga ai gol dhe arriti t’i barazonte shifrat 1-1 me anë të Keita Razak (22’), pas një asistimi nga Gerhard Progni.
Kur u mendua se pjesa e parë po përfundonte me këtë rezultat, llapjanët arritën të rikthenin epërsinë me golin e Veliut në minutën e 42-të, e që ishte i dyti për të në këtë ballafaqim.
Pjesa e parë përfundoi me këto tri gola, ndërsa në të dytën u shënua vetëm një.
Mysafirët e filluan pjesën e dytë edhe më mirë, e që rrezikuan me anë të Veliut në minutën e 57-të, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Gjilani kishte një shans të artë në minutën e 87-të me anë të Ylber Kastratit, mirëpo Giaccomo Nava ishte në vend dhe pranoi goditjen me lehtësi.
Ishte Progni që në minutën e 90-të e shpëtoi Gjilanin nga humbja, pasi barazoi shifrat në 2-2 me një goditje të fuqishme.
Me këtë barazim, Gjilani gjendet tani në pozitën e tretë me 52 pikë, gjashtë më pak se lideri Drita, ndërsa Llapi është në të gjashtin me 39 sosh. /Telegrafi/