Site icon Telegrafi

Mbyllet hetimi administrativ për rrëzimin e helikopterit në liqenin e Shkodrës

Është mbyllur hetimi administrativ i urdhëruar nga Ministri i Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit të Forcës Ajrore me numër anësor 637 të tipit EC 145, të ndodhur në datën 6 prill 2016. Ministri i Mbrojtjes në përputhje me kompetencat që i njeh legjislacioni në fuqi, në datën 7 prill 2016 urdhëroi ngritjen e grupit të punës për hetimin administrativ me objekt: “Rrëzimi i Helikopterit EC-145” më datën 6 prill 2016 me afat përfundimtar të mbylljes së hetimit administrativ, datën 22 prill 2016.

Grupi i punës, gjatë procesit hetimor administrativ, mblodhi të gjitha provat shkresore dhe jo shkresore, dëgjoi dëshmitarët, palët e interesuara dhe në dijeni të ngjarjes, verifikoi në vend provat, në praninë e Prokurorisë të rrethit Shkodër , këqyri vendin e ngjarjes, thirri, dëgjoi ekspertë të brendshëm dhe të huaj, si dhe krahasoi dhe analizoi provat e marra.

Në përfundim të këtij hetimi administrativ, grupi i punës doli në përfundimin se:  planëzimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të Helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Forca Ajrore, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planëzuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore.

Ministria e Mbrojtjes falënderon Prokurorinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në këtë hetim administrativ si dhe institucione të tjera me të cilat kemi bashkëpunuar. Gjithashtu falënderon ekspertët amerikanë dhe Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë, për asistencën e ofruar prej tyre./GazetaShqip/

Exit mobile version