Ballkani e ka mposhtur Dritën në kuadër të derbit të Superligës së Kosovës që u zhvillua në javën e shtatë me rezultat 2-0.
Vendasi e filluan mjaftë mirë takimin duke rrezikuar me anë të Armend Thaqit qysh në minutën e dytë, mirëpo goditja e tij përfundoi mbi portë.
Drita më pas filloi të kishte iniciativën dhe rrezikoi me anë të Hamdi Namanit , por Armend Rugji e dërgoi topin në fundore.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 19-të kur Mirlind Daku realizoi me kokë për 1-0.
Minuta e 22-të dhe ajo e 23-të ishin mjaftë interesante, shkaku që trajneri Ismet Munishi u përjashtua nga loja me karton të kuq shkaku i protestave, e që e njëjta gjë pasoi edhe për lojtarin e Dritës, Ilir Blakçorin për ndërhyrjen ndaj Mevlan Zekës.
Deri në fund të pjesës së parë, të dy skuadrat kishin edhe shanse të tjera, mirëpo nuk i konkretizuan ato.
Ballkani edhe në 45 minutat e dytë ishte më kërkues dhe rrezikuan me anë të Edvin Kuç në minutën e 47-të, e që goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit të portës.
Skuadra nga Theranda më pas arriti të realizonte edhe golin e dytë të takimit me anë të Dakut (75’), që ishte po ashtu i dyti personal në ndeshje.
Ballkani vazhdon të jetë lider në ligë me 19 pikë, derisa Drita është në të tretin me dhjetë sosh. /Telegrafi/