Site icon Telegrafi

Mbyllet çerdhja që kundërmonte nga era e myku

Inspektori shtetëror, Pëllumb Resuli, në një prononcim për Telegrafin ka sqaruar arsyet e mbylljen së çerdhes “Pëllumbat e Paqes”, qendra numër 2.

Sipas tij, ky objekt, përveç se si ka plotësuar kushtet në aspektin teknik, ka pasur mungesë të kushteve higjieno-sanitare, të cilat e kanë pamundësuar ushtrimin normal të punës.

“Përndryshe, edhe ne kuzhinë ka pasur lagështi (myk), si pasojë e së cilës në të gjithë objektin ka kundërmuar erë e rëndë. Inventari ka qenë i vjetër, dyshemeja e demoluar, tepihët jo të mirëmbajtur mirë, madje ka pasur edhe mungesë të mjeteve dezinfektuese”, ka thënë Resuli për Telegrafin.

Ndonëse nevoja është e madhe për ndërtimin e një çerdhe, brenda këtij viti, në qytetin e Pejës, si duket kjo gjë nuk do të jetë e mundur.

Këtë e ka sqaruar drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, i cili ka theksuar se objekti i çerdhes, ku do të sistemohen këta 60 fëmijë, do të ndërtohet te Arkivi i Qytetit, duke shtuar se “ndërtimi i kësaj çerdheje është paraparë me buxhetin e vitit të ardhshëm”.

Ai ka thënë për Telegrafin se fëmijët të cilët kanë gravituar në çerdhen “Pëllumbat e Paqes”, numër 2, ku numri i tyre arrin në 60, janë bartur në të njëjtën çerdhe, mirëpo në qendrën numër 1 (afër Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit).

“Për momentin, kapaciteti i kësaj çerdhe është i mjaftueshëm që t’i mbulojë kërkesat e të gjithë fëmijëve. Objekti do të përfundohet brenda vitit 2015. Sivjet kemi intervenuar në 17 shkolla, të cilat janë bërë funksionale. Vitin e ardhshëm janë të parapara të ndërtohen tre deri në katër çerdhe”, ka thënë Avdimetaj për Telegrafin. /Telegrafi/
 

Exit mobile version