Site icon Telegrafi

Mbyllet ‘bahçja’ e Kosovës për Shqipërinë!

Por, tani situata po shkon drejt ndryshimit. FFK-ja po e sheh veten afër UEFA-s e FIFA-s si asnjëherë më parë. Krerët e saj po presin që në dhjetor FIFA t’i lejojë t’i organizojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare përfaqësueses së Kosovës. Por, jo vetëm kaq. Ata po shpresojnë që këto dy organizata ta lejojnë reprezentacionin kosovar të garojë edhe në eliminatoret për Kampionatin Evropian ‘Franca 2016’.
E kjo situatë tashmë e ndryshuar ka bërë që udhëheqësit e futbollit kosovar t’i fillojnë lëvizjet konkrete për t’i ftuar në Përfaqësuesen e Kosovës shumë yje të njohura të saj, të cilët aktualisht luajnë për shtete tjera.

Bile, nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu, konfirmoi për Arenën se tashmë u ka dërguar ftesa disa yjeve të njohura që aktualisht luajnë për përfaqësuese tjera. Një kësi ftese, të cilën e ka siguruar Arena, e ka bërë gati edhe për Adnan Januzajn, i cili po kërkohet edhe nga Shqipëria. Ky i fundit ishte i përfshirë ditë më parë edhe në një formacion të përfaqësueses së Kosovës, të përpiluar e të ëndërruar nga kreu i FFK-së, Fadil Vokrri. Madje, pjesë e atij formacioni, për të cilin ka raportuar Arena, bënin pjesë edhe yje kosovarë që aktualisht luajnë për shtete tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Gjithë këto lëvizje, kanë kuptim. Thjeshtë, Kosova tani po mendon vetëm për përfaqësuesen e saj, me çka dyert e ‘bahçes së begatshme me lojtarë kosovarë’ po i mbyllen Shqipërisë.
E një gjë të tillë e konfirmon për Arenën edhe vetë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Salihu: FSHF-ja është e vetëdijshme për këtë

Sekretari i FFK-së thotë se FSHF-ja është e vetëdijshme se tash e tutje nuk mund të llogaritë në futbollistët e mëdhenj kosovarë, ngase ata tani i duhen përfaqësueses së Kosovës.

“E vërteta është se jemi një komb në dy shtete. Ky ka qen fati ynë. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është bërë e çartë se ne duhet ta formojmë përfaqësuesen tonë. E kemi për obligim, duke e marrë parasysh sakrificën e madhe të popullit tonë për liri”, deklaroi për Arenën Salihu.

“Ne jemi duke e pritur lejen nga FIFA për të luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare. Ato ndeshje do të jenë tamam ndeshje zyrtare, të karakterit internacional. Andaj, ne e kemi për obligim ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë ia kemi borxh vetvetes. E një gjë të tillë mund ta bëjmë duke i ftuar lojtarët tanë që mendojmë se mund të kontribuojnë në këtë drejtim”, theksoi Salihu.
Ai e pranon faktin se FSHF-ja më nuk do të mund të llogarit në kosovarë siç ka bërë prej vitesh. Por, Salihu thekson se me këtë rast marrëdhëniet mes dy federatave nuk mund dhe nuk guxojnë të zbehen as edhe për një pikë.

“FSHF-ja normalisht që është e vetëdijshme. Ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kem marrëdhënie të shkëlqyeshme me FSHF-në, e cila na ka ndihmuar nëpër kohë të vështira, edhe duke i hapur dyert për kosovarët e izoluar, andaj ne do t’i jemi përherë mirënjohës. Por, fati i neve shqiptarëve është i tillë. Por, fati ynë i mirë është se kemi shumë, shumë futbollistë cilësor”, pohoi Salihu, i cili beson se Kosova do ta bëjë gradualisht, por sigurt, një përfaqësuese shumë të fortë. /Tribuna/Telegrafi/ 

Exit mobile version