Telegrafi

Mbyllen qendrat e votimit në Mitrovicë, me disa parregullsi të vogla

Zgjedhjet lokale në Mitrovicën jugore janë mbajtur kryesisht të qeta, për dallim nga disa vendvotime ku ka pasur disa parregullsi.

Përfaqësuesja e Demokracisë në Veprim për rajonin e Mitrovicës, Hasime Hasani, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se shumica e qendrave të votimit janë mbyllur, në përjashtim të disa qendrave ku kanë mbetur të votojnë edhe votuesit e fundit.

Ajo tregoi se në shtatë qendra votimi kanë munguar shtatë fletëvotime, me ç’rast shtatë komisionerë janë dërguar në Polici.

“Shtatë persona janë shoqëruar për në polici. Shtatë fletëvotime kanë munguar nëpër qendra të votimeve. Gjithashtu ka pasur edhe fotografim të votës nga votuesit”, tha Hasani.

Sipas saj, në Mitrovicën jugore të drejtën e votës deri në orën 16:00 e kanë shfrytëzuar mbi 30 për qind të votuesve.

Ndërsa, jo zyrtarisht mësohet se dalja e votuesve deri në mbylljen e qendrave të votimit është rreth 40 për qind.

Ndryshe, në gjithsej 28 qendra votimi në Mitrovicën Jugore, numri i votuesve ka qenë mbi 79 mijë. /Telegrafi/