Në orën 19:00 në të gjitha vendvotimet në Istog ka përfunduar procesi i rivotimit.
Qytetarët e komunës së Istogut kanë votuar sot për të tretën herë për të zgjedhur kryetarin e tyre. . Në garë janë Haki Rugova i LDK-së dhe Gani Dreshaj i AAK-së.
Ibrahim Bytyqi, menaxher i qendrës kryesore në gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog, ka thënë se vendvotimet janë mbyllur në ora 19.00 dhe se procesi zgjedhor ka rrjedhë në përgjithësi mirë dhe pa probleme.
“Sa u mbyll vendvotimi dhe po fillon procesi i numërimit. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara dalja ka qenë shumë më e mirë, 44-45 për qind është dalja e votuesve”, ka thënë Bytyqi.
Ndërkohë që nuk është raportuar për parregullsi gjatë procesit të votimit për kryetar të komunës, në garën e së cilës janë Haki Rugova nga radhët e LDK-së dhe Gani Dreshaj i AAK-së.
“Nuk ka parregullsi që vlejnë për t’u theksuar, pavarësisht ankesave të disa anëtarëve të partive të ndryshme, pasi ato janë të zakonshme në procesin zgjedhor”, tha Bytyqi.
Në votimet e rrethit të parë, Rugova e Dreshaj kishin marrë më së shumti vota, por jo të mjaftueshme sa për të fituar zgjedhjet e 22 tetorit.
Pas balotazhit LDK ishte ankuar për parregullsi me votat nga jashtë dhe Gjykata Supreme ka vendosur për përsëritjen e balotazhit./Telegrafi/