Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT), ka njoftuar se Inspektorati i Tregut ka mbyllur përkohësisht 9 qendra masazhi, të cilat ushtronin veprimtarinë në kundërshtim me ligjin.
“Sot, gjatë orëve të mbrëmjes, Inspektoriati i Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz) dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë realizuar inspektime të përbashkëta në 17 lokacione në Prishtinë, ku cak ishin qendrat e masazhit, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së tyre”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se si rezultat i këtyre inspektimeve, Inspektorati i Tregut ka bërë mbylljen e përkohshme të 9 lokaleve ku ushtrohej veprimtaria e masazhave.
Tutje bëhet e ditur se ndaj operatorëve ekonomik që në kundërshtim me ligjin ushtrojnë veprimtarinë e tyre, do të shqiptohen masat ndëshkuese sipas ligjit në fuqi.