Telegrafi

Mbyllen gërmimet në Kizhevak, nuk gjendet asgjë

Sot kanë përfunduar gërmimet në Kizhevak të rajonit të Rashkës në Serbi ku dyshohej për një varrezë masive me trupa të shqiptarëve. As pas 140 ditë pune në këtë vend nuk është gjetur asgjë.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj ka thënë për Kosovapress se punimet që kishin filluar në fund të vitit 2015 në kuptimin e gërmimeve vlerësuese për dyshime për një varrezë masive tani në të pestën herë të ndërprera dhe të vazhduara u përmbyllen pa gjetje.

Sipas tij, vendi dhe lokacioni i cili është dyshuar ishte sipas informacioneve gjithnjë të palës serbe dhe mund të jetë burim i mashtrimeve.

“Normalisht se ne kemi shpresuar duke u mbështetur në informatat sipas tyre shumë të besueshme, nëse nuk ka qenë ndonjë lojë apo është gabuar pika për të cilën ata (serbët) thonë që kanë pasur dëshmitarë”, ka thënë Gjetaj.

Ai shtoi se për të regjioni i Rashkës është i pa mbyllur për arsye se rastet e iniciuara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur nuk janë futur në agjendën e vlerësimit deri më tani si Jallovishta te Rudnica, liqeni në drejtim të rrugës për Kopaonik dhe regjioni i Novi Pazarit.

Gjetaj ka thënë se janë edhe 1660 qytetarë të Kosovës që konsiderohen të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë.